Ministria e Financave ka ekzekutuar pagat e muajit të fundit të vitit një natë para festës së Vitit të Ri.
Pagat për punonjësit e sektorit publik janë ekzekutuar pasditën e së enjtes, ka bërë të ditur kryetari i Shoqatës së Sindikatës së Shërbyesve Civilë të Kosovës, Mursel Zymberi.
“Sot pasdite ne dikur vonë kemi marrë me mesazh shkresa nga banka se ka dal pagesa”, u shpreh Zymberi.
Zymberi, megjithatë u ankua për vonesë të qeverisë në ekzekutimin e pagave për muajin e fundit të vitit.
“Për herë të parë ndodh kjo vonesë në ekzekutimin e pagave për punonjësit shtetërorë”, tha ai.
Sipas Zymberit, ekzekutimi i pagave një natë para ndërrimit të moteve ka shkaktuar huti tek punonjësit shtetërorë.
“Ka qenë një huti e madhe që për herë të parë ndodh kjo vonesë e ekzekutimit të pagave në muajin dhjetor. Ne nuk kemi marrë asnjë sqarim nga Ministria e Financave lidhur me këtë vonesë”, ka thënë ai.
Ministria e Financave nuk ka njoftuar ende zyrtarisht lidhur me ekzekutimin e pagave për sektorin publik. /Disidenti.net