Disidenti
Lajme

Rrahmani e Korenica largohen nga VV-ja javën e ardhshme, garojnë bashkë me AKR-në e PD-në

0Shares

Deputetët e revoltuar konservatorë të VV-së, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, do të garojnë në zgjedhje sërish, por jo në listën e partisë së Albin Kurtit. Rrahmani dhe Korenica do të jenë bartës të lëvizjes së quajtur “Lista për Familjen”, e cila do të garojë në koalicion me Partinë e Drejtësisë dhe Aleancës për Kosovën e Re. Çfarë po ndodh?

Sot në Kuvendin e Kosovës u pa çarja e madhe dhe e patejkalueshme mes Rrahmanit e Korenicës dhe VV-së. Përplasja mes Korenicës dhe Glauk Konjufcës, kryetar i Kuvendit e nënkryetar i VV-së, është vetëm simptomë e një lëvizjeje më të madhe.

Pas përplasjes, Rrahmani dhe Korenica kanë deklaruar se nuk do të votojnë asnjë ligj përderisa vajza me shami, e përjashtuar nga një shkollë në Pejë, nuk rikthehet në bankat shkollore.

“Unë nuk do të marr pjesë në asnjë votim pa u kthyer vajza në shkollë!

Sot, në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kërkova që të mos vazhdohet me seancë pa u kthyer në shkollë një vajzë mbi 18 vjeçare, e cila është larguar padrejtësisht që nga 1 shtatori. Udhëzimi administrativ është i jashtëligjshëm, qeveria është përgjegjëse për ndryshimin e tij.

Besoj deri sot e kam dëshmuar që nuk bëj fushatë me bindjet e mija” – ka shkruar Korenica, ndërsa Rrahmani e shpërndau shkrimin, duke iu bashkuar në këtë qëndrim kolegut të tij.

Duket se këta dy deputetë, bashkë me disa figura të tjera lokale të VV-së, do të largohen nga kjo parti, me të cilën kanë pasur shumë mospajtime për disa tema, përfshirë ligjin për fertilizim, projektkodin civil e udhëzimin administrativ që e ndalon bartjen e uniformave fetare në shkolla. Përveç kësaj, ata do të nisin një rrugëtim të ri, krejt të pavarur nga VV-ja. Madje, siç ka kuptuar media hiç më larg se javën e ardhshme do të largohen nga grupi parlamentar i VV-së.

Emri i listës konservatore do të jetë “Lëvizja për Familjen”, e cila tashmë është në një koalicion me AKR-në dhe PD-në. Në kuadër të kësaj liste, me shumë gjasë, do të garojnë edhe emra të njohur, përfshirë asamblistë të VV-së, PD-së e lëvizjeve të tjera konservatore.

Dalja nga grupi parlamentar ishte planifikuar të ndodhte gjatë kësaj jave, por është shtyrë për arsye objektive (përvjetori i sulmit të armatosur në Banjskë).

Sjellim ndër mend që tre muaj më parë kishte shkruar për themelimin e një liste konservatore. Në lidhje me këtë temë ishte deklaruar atëbotë Ferid Agani, kryetar i PD-së, duke thënë se bashkëpunon me të gjitha subjektet dhe personalitetet politike që “ndajnë vlera të njëjta”.

“Si kryetar i Partisë së Drejtësisë dhe si udhëheqje e partisë jemi të interesuar dhe të angazhuar për të fuqizuar agjendën e djathtë politike në vend me komponentën progresive demokratike konservatore që në fokus ka ruajtjen dhe përparimin e vlerave tradicionale të familjes dhe shoqërisë Kosovare, dhe në këtë drejtim do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet dhe personalitetet politike që ndajnë vlera të njëjta.

Për momentin kaq mund të them” – kishte thënë Agani.

Kurti pret që BE-ja t’i largojë masat ndaj Kosovës: Nuk kanë qenë të drejta asnjëherë, tash janë bërë edhe absurde

Disidenti.net

Dështon ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë – mjekët, mësimdhënësit, policët, zjarrfikësit, mbesin pa rroga

Disidenti.net

Aksion i Antidrogës në Pejë: Sekuestrohet mbi një ton drogë në vlerë të rreth 5 milionë euro

Disidenti.net