Pejë – Eksperti i balistikës, Ilir Kukaj ka thënë se predha e gjetur në vendin e ngjarjes ku ishte gjetur i vrarë Arben Dekaj dhe një predhë tjetër e gjetur në shtëpinë e të akuzuarit për vrasje, Kamber Bulleshkaj, përputhen mes tyre.
Dy predhat, njëra e plotë e tjetra pjesë e predhës (xhaketë), të cilat i kishte pasur në ekspertim, Kukaj tha se përputheshin mes tyre dhe ishin shkrepur nga e njëjta armë të kalibrit 7.62x39mm.
Këtë deklaratë, eksperti Kukaj e ka dhënë të mërkurën në gjykimin ku për vrasjen e Dekajt po akuzohet Bulleshkaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kamber Bulleshkaj akuzohet se në shtator të vitit 2018, e kishte privuar nga jeta me tetë predha, tani të ndjerin Arben Dekaj dhe pastaj nga një urë trupin e tij e kishte gjuajtur në Lumin e Shushicës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përkitazi për këto dy predha, eksperti Kukaj ishte ftuar nga Gjykata Themelore në Pejë për të dhënë sqarime për përfundimet e nxjerra nga ekspertimi balistik.
“Xhaketa është krahasuar me plumbin e evidentuar #3/1 e gjetur në vendin e ngjarjes dhe në bazë të karakteristikave është konstatuar se të dyja janë shkrepë nga e njëjta armë ”, tha eksperti Kukaj.
Duke qenë se në rastin konkret nuk ishte gjetur ndonjë armë, eksperti balistik tha se në bazë të predhave, arma nga e cila ishte shtënë mund të ishte armë automatike.
Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj kërkoi sqarime nga eksperti balistik se si mund të arrijë deri tek shkëputja e predhës.
Sipas ekspertit, predha mund të shkëputet nëse godet ndonjë objekt të fortë përfshirë këtu edhe eshtrat e trupit.
“Po nëse kalon në ndonjë pengesë apo goditet në sipërfaqe ose nëse godet në asht”, tha eksperti Kukaj.
E nëse kjo xhaketë e predhës del nga trupi, sipas ekspertit Kukaj, mund të shkaktojë dëmtime tjera.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ramandan Shatri pati vërejte në deklarimin e ekspertit se predhat i takojnë armës së njëjtë.
Pas përfundimit të dëshmisë së ekspertit, gjykata mori vendim që të lexohen të gjitha provat materiale të propozuara nga ana e prokurorit.
Gjatë administrimit të provave, në njërën nga fotot e paraqitura shihej i ndjeri duke mbajtur në dorë armë automatike dhe eksploziv. I akuzuari Bulleshkaj e pranoi se këto foto ishin shkrepur në shtëpinë e tij mirëpo mohoi se të ndjerit ia kishte bërë foton.
Ndryshe, në këtë seancë në mungesë të mjeteve adekuate teknike të gjykatës, video incizimet u lëshuan nga laptopi.
Këto video incizime ishin marrë nga një fqinjë në lagjen ku banonin i ndjeri dhe viktima mirëpo sipas gjykatës dhe raportit policor, për shkak të errësirës nuk mund të identifikoheshin se cila ishte shtëpia e të akuzuarit.
Mirëpo, sipas bashkëshortes së të ndjerit, të dëmtuarës Ederina Elshani dhe mbrojtësit të palës dëmtuar, në video incizim shihet se në ora 20:52, vetura e tani të ndjerit duke hyrë në shtëpinë e të akuzuarit.
Sipas të dëmtuarës, lëvizja e veturës përputhet edhe me deklaratat e dëshmitarëve Arizona Dekaj dhe Abedin Hysenaj se i ndjeri kur kishte dalë nga shtëpia e tij, kishte shkuar nga rruga dytësore dhe jo kryesore.
Në anën tjetër, i akuzuari Bulleshkaj tha se sipas pamjeve në kamera, nuk mund të identifikohet se është shtëpia e tij.
Gjatë video incizimeve, dëshmitarja Arizona Dekaj konfirmoi foton ku shihej vetura e tipit xhip me 15 shtator 2018, për të cilën dëshmitarja kishte deklaruar se kishte qenë duke shkuar tek shtëpia e të akuzuarit për të kërkuar vëllain e saj.
Lidhur me këtë, i akuzuari pohoi faktin se dëshmitarja kishte qenë tek ai me një person tjetër, mirëpo në foto sipas tij, nuk mund të vërehej se vetura ishte në drejtim të shtëpisë së tij.
Pjesë e këtyre video incizimeve ishte edhe ekzaminimi i kamerave të kryera në Turqi, të cilat ishin dërguar për të vërtetuar nëse i akuzuari ishte personi i cili shihej në kamerë tek vetura e braktisur.
Gjetjet e ekzaminimit tregojnë se nuk kishte pasur mundësi të arrihet në konkludim se i akuzuari ishte personi i cili shihej në kamerë.
Pas shikimit të video incizimeve, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gëzim Kollçaku propozoi që video incizimet të dërgohen për fokusim dhe ndriçim në Agjencinë e Forenzikës për të vërtetuar lokacionin e shtëpisë së të akuzuarit Bulleshkaj përmes video incizimeve.
Këtë propozim e kundërshtoi mbrojtësi i të pandehurit, avokati Shatri duke e cilësuar si një propozim të paefektshëm pasi sipas tij, kamerat nuk mund të ndriçohen.
Lidhur me këtë propozim, gjykata mbeti të vendos jashtë seancës.
Seancat e radhës u caktuan për 6 dhe 7 shtator 2021, në ora 9:30.
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 16 dhjetori 2019, i akuzuari Kamber Bulleshkaj, ishte deklaruar i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së ngritur më 10 tetor 2019, Kamber Bulleshkaj akuzohet se më 12 shtator 2018, rreth orës 20:25, deri më 21:15, në shtëpinë e tij në fshatin Istog i Poshtëm, pikërisht në sallonin e shtëpisë së tij, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit Arben Dekaj, me dashje e ka privuar nga jeta këtë të fundit.
Sipas aktakuzës, Dekaj kishte shkuar me veturën e tipit “BMW 120”, në shtëpinë e të pandehurit, me qëllim që nga i njëjti të kërkonte një armë automatike-kallashnikov, e cila synohej të përdorej në një gazmend familjar dhe që me të, të festonin në fejesën e kushëririt të tyre.
Në aktakuzë thuhet se pasi tani i ndjeri shkon në shtëpinë e të pandehurit, pas mosmarrëveshjeve mes tyre, i pandehuri nga arma automatike e llojit të panjohur, shtie disa herë në drejtim të tani të ndjerit, duke e goditur me tetë predha në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë e plagëve vdes në vendin e ngjarjes.
Sipas aktakuzës, më pas i akuzuari me veturën e tani të ndjerit, e merr trupin e tij e dërgon tek Lumi i Shushicës, ku e hedhë atë nga ura, e pastaj me veturë vazhdon në drejtim të Mitrovicës, ku në lagjen “Bair”, e braktisë veturën, derisa kufoma të gjendet rreth orës 15:05, në vendin e lartcekur.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes, nga neni 178 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi