Zëvendës ministri i Drejtësisë Blerim Sallahu, tha se dy hektarë e dymbëdhjetë ari e shtatëmbëdhjetë metra katrorë, pronë të Ministrisë së Drejtësisë, i janë dhënë pa bazë ligjore, një kompanie private që paraprakisht ka fituar të drejtën për të lidhur kontratë duke mos qenë as të regjistruar si biznes.
Sipas tij akterët e MD-së që kanë nënshkruar këtë kontratë përmes së cilës kanë dhënë 2 hektarë e 12 ari e 17 metra katrorë, janë bazuar në nenin: 6 par. 1, nën paragrafi 1.1 të Ligjit Nr. 06/L-92 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.
“Pra, i është dhënë prona e institucionit qëndror, personit juridiko-privat, duke u bazuar në një ligj që në asnjë rrethanë nuk rregullon çështjen e tillë. Thënë ndryshe, prona publike e institucioneve qëndrore ndalohet të ju jepet në shfrytëzim personave juridiko-privat”, tha Sallahu.
Sipas zv.ministrit të Drejtësisë, këto gjetje janë konstatuar edhe në raportin e auditorit të brendshëm.
Ai shtoi se kjo nuk mund të lejohet e as të tolerohet. Ky është orkestrim financiar. Kjo është kurdisje ekonomike dhe përfitim financiar i kundërligjshëm në shfrytëzim të kundërligjshëm të pronës publike dhe në dëm të interesit të përgjithshëm publik.
“Do të ketë kthim të dinjitetit dhe besimit në institucione”, tha zv.ministri Blerim Sallahu.