Një specialiste e terapisë fizike dhe punës sociale thotë se duhet bërë më shumë për të ndrequr ndikimin e pandemisë te shëndeti mendor. Ajo thekson në veçanti nevojën për vëmendje ndaj mirëqënies së punonjësve të kujdesit shëndetësor. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Mariama Diallo njofton:
Amina Woods është specialiste e punës sociale dhe terapiste fizike në Nju Jork. Gjatë vitit të fundit ajo është përqëndruar në ndihmën për klientët e saj që kanë hasur probleme mendore si rezultat i pandemisë.
“Njerëzit nuk ndjehen mirë në këtë periudhë. Shumë prej tyre ndjehen të lodhur, të mbingarkuar,” thotë zonja Woods.
Probleme të tilla po hasin edhe klientët e saj që kujdesen për pacientë me COVID.
“Gjatë pandemisë është shprehur gjerësisht mirënjohje për punonjësit e kujdesit shëndetësor për rolin e tyre. Por nuk mendoj se njerëzit kanë ndjerë sa duhet shqetësim për ndikimin që ka pasur puna që bëjnë në shëndetin fizik dhe mendor të personelit mjekësor,” thotë ajo.
Zyrtarët thonë se ky mbetet një problem global.
“Pandemia ka pasur një ndikim të rëndë mbi shëndetin mendor dhe fizik dhe ka ushtruar një barrë të rëndë mbi familjet e komunitetet. Ankth, depresion, mungesë gjumi, stres – të gjitha këto probleme janë shtuar. Unë u jam mirënjohës atyre që janë ngritur për t’i bërë ballë kësaj krize në një ndër periudhat më të vështira të njerëzimit,” tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.
Zonja Woods thotë se edhe ajo vetë e ka ndjerë barrën mendore të pandemisë:
“Ka pasur momente kur jam ndjerë e çorganizuar, e paaftë për t’u përqëndruar, në ankth; kisha një ndjenjë makthi në stomak,” tregon ajo.
Zonja Woods, nënë e divorcuar, thotë se ka vërejtur pasoja edhe tek djali 12-vjeçar, i cili si shumë fëmijë të tjerë ka ndjekur shkollën përmes internetit gjatë pandemisë.
“Ka ndikuar në shëndetin e tij social e emocional. Ju kërkoj ndjesë që emocionohem kur flas për këtë problem, por asnjëherë nuk e kam parë kaq të mërzitur,” thotë zonja Woods.
Sipas një studimi të fundit nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë, faktorët stresues që janë shfaqur gjatë pandemisë kanë shkaktuar një seri problemesh. Afro tre në dhjetë punonjës të shërbimeve jetike raportuan në një studim keqësim të shëndetit mendor që nga fillimi i pandemisë. Zonja Woods thotë se ka zbuluar mënyra për të përballuar stresin.
“Ndoshta tingëllon si këshillë klishe që të marrësh frymë thellë, por në fakt kjo metodë është shumë e efektshme. Nganjëherë, kur jam vërtetë e ngarkuar emocionalisht, shkoj në banjo dhe qaj, pasi më çliron. Në këtë apartament të vogël, fillova të përdor patinat, kur shkoja për të nxjerrë plehrat apo për punë të tjera të vogla,” tregon ajo.
Këto janë hapa të thjeshta, por hap pas hapi po e ndihmojnë njerëzimin të kapërcejë këtë vit të vështirë e të errët.