Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Vazhdimisht raportohen raste në Polici, por edhe nga qytetarët për rrahje mes qytetarëve, të cilat në shumë raste kanë përfunduar tragjikisht. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje, ku Policia mori informacione se në rrugën ‘Skënderbeu’ në Istog dy persona janë përfshirë në një rrahje.
Sinjali mëson se me të dalë në vendin e ngjarjes, njësitet policore kanë arritur që ta arrestojnë personin e dyshuar, i cili pas një mosmarrëveshjeje verbale kishte sulmuar fizikisht 34-vjeçarin, duke i shkaktuar atij lëndime trupore.
Si pasojë e goditjeve që mori nga grushtet e shqelmat, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërsa 28-vjeçari u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ai të dërgohet në mbajtje për 48 orë.