Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar aksionet e Policisë së Kosovës në tri lokacione, ku u arrestuan dy zyrtarë të Ministrisë Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, ministri kjo e udhëhequr nga, Rozeta Hajdari, dhe i arrestuar i tretë është një biznesmen nën dyshimet për dallavere me rezervat shtetërore.
Në një fjalim në faqen e tij në Facebook, Kurti ka thënë se qeverisja e tij prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj.
Sipas tij, humbësit i gjen tek “elita e vjetër dhe korruptuar politike”, të gjykatësit, prokurorët dhe të mediat e keqpërdoruara.
Ndërsa, fitues janë të gjithë qytetarët e Kosovës, sipas Kurtit.
“Përderisa fitues janë gjithë qytetarët e vendit (familjet përmes shtesave universale pёr fёmijё, nёnat lehona, përfituesit e ndihmave sociale, të rinjtë, studentët, punëtorët, pensionistёt, tё papunёt, bizneset e rregullta) humbësit janё tё paktё nё numёr, por jo pak tё organizuar. Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar. Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artifciale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se ka besim tek ministrja Hajdari, pasi nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi.
“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, ka shtuar Kurti.
Më tej shefi i Qeverisë ka thënë se për dy vite rezervat shtetërore i kanë ngritur nga 300 mijë euro në 25 milionë euro.
“Rezervat shtetërore i kemi gjetur 300 mijë euro e i kemi bërë 25 milionë euro për dy vite. 97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore”, ka potencuar Kurti.