Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, Lulzim Shehu, ka thënë se ideja e martesës më dy gra ka mundur të merret si standard vetëm në mesjetë.
Shehu në “Java Sonte me Rronin” të mërkurën në KTV, ka thënë se në shoqërinë kosovare kjo nuk mund të merret si standard, pasi siç ka thënë, është ide e tejkaluar.
“Del një lider fetar dhe fol se bën ta marrësh gruan e dytë pa e pyetur gruan e parë. Kjo është e tejkaluar. Në Mesjetë ndoshta ka mundur të merret kjo si standard, por jo në shoqërinë tonë”, ka thënë Shehu, duke iu referuar disa liderëve të fesë islame.
Ai ka folur edhe rreth martesave të gjinisë së njëjtë, duke theksuar se Bashkësia e Tarikateve të Kosovës nuk është marrë dhe as deklaruar për këtë. Ditë më parë, disa media kanë shkruar “për qëndrimin pro të Tarikateve për martesat e gjinisë së njëjtë”. Por sipas tij, ky është keqinterpretim.
“Gazetaria fisnike e ka përkrahjen e plotë të Bashkisë Tarikateve. Doli një lajm. Ne s’jemi marr me martesa. Një numër i madh gazetash dhe portalesh kërkojnë informatën prej ne. Nuk është gazetaria krejt e vdekur, por (rrezikohet) prej të ligës gazetareske që ekziston brenda gazetarisë. Ju duhet të qoheni dhe të bëni një pastrim të brendshëm”, është shprehur Shehu.