Disidenti
Lajme

ShBA hesht dy partitë opozitare – PDK-ja dhe LDK-ja nuk deklarohen pas qëndrimit amerikan

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë zgjedhur që të paktën tash për tash të heshtin karshi qëndrimit të ShBA-së ku shprehet haptazi shqetësimi i ambasadës amerikane ndaj të dyja partive opozitare rreth kundërshtimit të planit franko-gjerman.

Sot, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka deklaruar për Paparacin se janë të shqetësuar me deklaratat e krerëve të partive opozitare lidhur me propozimin e BE-së që parasheh normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare “nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”, ka thënë të hënën një zëdhënëse e Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë, në një komunikim me shkrim për Paparacin.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së”, ka thënë një zëdhënëse e ambasadës. “Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”.

Megjithatë, pavarësisht këtyre deklaratave të ambasadës së ShBA-së, zyrtarë të lartë të PDK-së dhe LDK-së ende nuk janë deklaruar.

Paparaci, ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të lartë dhe deputetë të të dyja subjekteve politike, por disa prej tyre kanë qenë të paqasshëm e disa nuk kanë zgjedhur të përgjigjen për këtë situatë.

Ndërkohë, zëdhënësja e Ambasadës së ShBA-ve i ka thënë Paparacit se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë qëndrimin për propozimin e Bashkimit Evropian në nivelet më të larta të qeverisë.

Sipas saj, qëndrimi i ShBA-ve për propozimin është bërë i qartë në dy komunikimet e fundit të presidentit Joe Biden dhe sekretarit Antony Blinken për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, rreth tri javë më parë.

“Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken, në komunikimet e tyre të fundit për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, nënvizuan se propozimi ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë Kosovën drejt stabilitetit më të madh rajonal, prosperitetit ekonomik dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, ka thënë zëdhënësja e Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë.

Në përgjigjen e Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë për Paparacin është ripërsëritur qëndrimi i Shteteve të Bashkuara në mbështetje të propozimit të BE-së.

ShBA-ja ka kujtuar se përpjekjet e saja të bashkërenduara për ta çuar përpara këtë propozim kanë përfshirë konsultimet me partitë opozitare të Kosovës “kanë përfshirë konsultimet me partitë opozitare të Kosovës”.

Sidoqoftë, më 27 shkurt, liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë pranuar propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel.

Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq e kanë pranuar tekstin e marrëveshjes dhe pritet në vazhdim të diskutohet për planin e zbatimit të saj.

Por, një gjë të tillë e kanë kundërshtuar PDK-ja dhe LDK-ja. Sipas të dyja partive parlamentare, me këtë propozim për normalizimin e raporteve me Serbinë, Kosova ka humbur njohjen e ndërsjellë dhe ka pranuar që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Mirëpo, për dallim nga PDK-ja dhe LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka mbështetur hapin e qeverisë për pranimin e propozimit të BE-së.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kishte thënë se pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, “është një e arritur e madhe”.

Në anën tjetër, propozimi evropian është thënë se synon që t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë, kurse në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

BE-ja ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë që ta zbatojnë planin. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak./Paparaci.com

Patundshmëria “prek qiellin”, banesat në Prishtinë arrijnë 1000 deri në 2.500 euro/m2

Disidenti.net

Mblidhet Bordi i ZRrE-së, sot pritet shtrenjtimi i rrymës elektrike

Disidenti.net

“Serbia e ka humbur Kosovën”, Gjukanoviç: Po ndjek politikën e Putinit që kërkon të rikthejë sovjetizmin

Disidenti.net
Disidenti

ShBA hesht dy partitë opozitare – PDK-ja dhe LDK-ja nuk deklarohen pas qëndrimit amerikan