Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar ndaj shpifjeve që thotë se po bëhen ndaj tij se kinse ka deklaruar se do ta përkrahin Listën Serbe për ta rrezuar Qeverinë Kurti nga pushteti.
Sipas tij, kjo është e pavërtetë dhe rrenë e kulluar, teksa ka bërë thirrje që të ndalen mashtrimet dhe propaganda.
“Gënjeshtra, shpifja e mashtrimi nuk janë në kulturën tonë, ato kanë qenë e janë pjesë e kulturës së kundërshtarëve të kombit e shtetit tonë. Ta çmojmë e respektojmë etikën si dhe ta ruajmë traditën tonë shqiptare; ta themi të vërtetën”, tha ai.
Ligjvënësi opozitar tha se deklarata e tij e vërtetë është se “LDK nuk do të bashkëpunoj më Listën Serbe për rrëzimin e Qeverisë Kurti”.
“Një gjë s’duhet harruar kurrë; ne mund të jemi kundërshtarë politik, mund t’i kemi dallimet tona, mirëpo për kombin e shtetin jemi bashkë përherë”, përfundoi Gashi reagimin e tij në Facebook.