Që nga dje, serbët kanë bllokuar rrugët në veri të Kosovës, pas arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq.
Arrestimi i ish-policit u bë për shkak të dyshimeve për sulme terroriste në veri të vendit.
Duke komentuar këtë situatë, analisti politik Xhevdeti Pozhari, ka thënë se më nuk ka kryeministër të kontrabanduar në shtëpinë e Radojçiqit, që paguan paga kriminelëve serbë që të shkrepin plumba mbi policët tanë.
Pozhari ka kritikuar edhe ndërkombëtarët për situatën aktuale në Kosovë, duke thënë se është iluzion të mendohet se Serbia do të ndryshojë.
Reagimi i Pozharit në Facebook:
Më shumë se një dekadë kriminelët serbë që shkrepin plumba mbi policët tanë, i kemi paguar me taksat tona. E kanë ndotur uniformën e Policisë kur edhe një pagë ekstra e kanë marrë prej Serbisë.
Sot lloji i këtyre kriminelëve arrestohet. Nuk ka më kryeministër të kontrabanduar në shtëpinë e Radojçiqit. Nuk ka më president të llojit “vi ar not problematik gajs”.
Kosova udhëhiqet nga dy njerëz që duan t’ia ndalin hovin kësaj padrejtësie të ushtruar në kurriz të Kosovës.
Krejt kjo situatë sot në veri është edhe “meritë” e faktorit ndërkombëtar. Sot më qartë se kurrë krejt kanë mundësinë ta shohin se është iluzion të mendohet se Serbia ndryshon. Apetitet e saj me udhëheqësit që i kanë mbeten të njëjta, vetëm kanë fituar në kohë!
Pavarësisht se ne nuk mundemi pa aleatët tanë, se ua kemi borxh edhe këtë liri, pyetjet janë legjitime: A do ta lejonit krimin dhe agresionin e një shteti tjetër në shtetin tuaj?
Kurrë. Hiq!
Në këto rrethana, toleranca ndaj politikave shoveniste të Serbisë shndërrohet në padrejtësi. Dhe do të jetë çështje kohe kur padrejtësia do të përkthehet në revoltë.
Mund mos të jemi të fuqishëm si shtet, por nuk jemi dorëzuar as atëherë kur e kemi pasur më rëndë. Nuk do të dorëzohemi as sot, as nesër për të drejtën tonë. Kurrë. Hiq!
Kosova do të bëhet shtet ku brezat që do të vinë do të jetojnë pa ngarkesa. Kurrë nuk do të lejojmë të vazhdojë të jetë fole e krimit.
Ai rrëfim ka marrë fund me 14 shkurt.