Katër të arrestuarit e sotëm me urdhër të Prokurorit të Shetit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48-orësh, nën dyshimet për keqpërdorime në ndërmarrjen publike në Telekomin e Kosovës.
Bëhet fjalë për ish-drejtori e Financave Armend Osaj, ish-drejtorin e Marketingut Trim Musliu, vëllai i tij Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman.
Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, në dy lokacione në Prishtinë.
“Posta i ka ble reth 400 mijë euro telefona për klientët besnikë të saj, nuk i kanë shpernda. Dyshohet se i kanë marrë për vete”, tha një burim i besueshëm i Expressit.
Arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Sot me 30 mars 2021, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, ku pas kompletimit të rastit do të jepen informacione shtesë”, ka konfirmuar Policia e Kosovës.