Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur për Skender Hysenin dhe Agim Veliun, dy figura të rëndësishme të këtij subjekti politik opozitar.
Madje, ky i fundit haptazi kishte qenë shumë i ashpër ndaj shefit të tij partiak, Lumir Abdixhiku.
Deputeti Veliu kishte kritikuar të parin e LDK-së rreth degës së kësaj partie në Podujevë. Thoshte se Abdixhiku ka lënë anash figura të shquara të Lidhjes Demokratike, me kërkesë të ish-kandidatit për kryetar të komunës së Podujevës, Ekrem Hyseni.
Lidhur me këto pakënaqësi, Haziri tha se edhe Veliu edhe anëtari Hyseni mbetën emra të vlerësuar të LDK-së.
Për Veliun, ish-kryetari i Gjilanit theksoi se është aktiv edhe si deputet i Kuvendit.
Ndërsa, shtoi se pret që koha t’i shërojë marrëdhëniet mes Abdixhikut e Veliut.
“Ata mbeten emra të vlerësuar të LDK-së. Ka edhe shumë emra tjerë që LDK-së i mungojnë, por në rastin e Agimit ai është deputet dhe aktiv në politikë. Mendoj se koha ka me i shëruar dhe me i afruar”, tha Haziri, në një intervistë për Nacionale.com.
Ish-kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu pati vazhduar kritikat e tij në drejtim të kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku disa ditë pasi Veliu është shkarkuar edhe nga kryetari i degës së kësaj partie në Podujevë.
Veliu në një postim të gjatë gjatë muajit shkurt, thoshte se kryesia e LDK-së nuk mund ta legjitimojë një shkelje kaq të madhe të rregullores dhe statutit nga ana e Abdixhikut.
Ai më tej shkruante se Abdixhiku mund të marrë përgjegjësi sa të dojë, por nuk mund të amnistohet humbja në Podujevë e kandidatit të emëruar nga ai, të veshur me të gjitha kompetencat për të zgjedhur shtabin, listën e kandidatëve për asamblistë, autonomi të plotë në bërjen e fushatës, financimin marramendës të fushatës.