Kuvendi i Shqipërisë ka shkarkuar zyrtarisht Presidentin e Republikës, Ilir Meta, nga detyra e tij, pas katër vjetësh si kreu i shtetit.
Me vota 104 pro, 7 kundër dhe 3 abstenim, Kuvendi e miratoi kërkesën e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës.
Të nevojitura për shkarkimin e tij, ishin 94 vota pro, të cilat u tejkaluan.
Brenda pesë ditëve fjala do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vendosë nëse Meta do të qëndrojë apo jo në detyrën e tij si kreu i shtetit, deri në përfundim të mandatit në korrik 2021.
Ky shkarkim i presidentit ishte i paralajmëruar, pas vendimit të mazhorancës për të ngritur një komision të posaçëm hetimor për shkarkimin e Metës.
Raporti i komisionit u miratua gjithashtu me 104 vota pro, duke i hapur rrugë votimit për pozitën e presidentit. Votim, që ka konfirmuar shifrat e raportit.
Pse u kërkua shkarkimi i Metës?
Pas thirrjeve të presidentit Meta përpara fillimit të zgjedhjeve të 25 prillit, mazhoranca ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e tij, menjëherë pas fitores së mandatit të tretë radhazi.
Sipas socialistëve, Meta ka kryer shkelje të rënda kushtetuese, ku ka kryer thirrje për dhunë parazgjedhore. Ai gjithashtu ka dalë mbi palët sipas socialistëve dhe ka mbështetur qartësisht një palë karshi tjetrës.
Komisioni hetimor për shkarkimin e Metës u caktua, në të cilin u administruan provat filmike të pretendimeve socialiste. Vetë Meta, refuzoi të shkonte për të dëshmuar në Komision, pavarësisht se këtë e detyron dhe përcakton ligji.
Pas konsultimit me ekspertët dhe këqyrjes së provave filmike, komisioni përpiloi raportin e tij përfundimtar.
Në të, kërkohej shkarkimi i presidentit Meta, duke argumentuar se ai ka kryer shkelje të rënda kushtetuese.
Kuvendi miratoi pikërisht 9 qershorin, si datë për mbledhjen e seancës plenare për shkarkimin e tij.
Tashmë, me këtë votim, e vetmja gjë që pritet, është vendimi i Kushtetueses.