Disidenti
Botë

Papa Françesku: Çeçenët dhe mongolët, më gjakatarët në Ukrainë. Reagon Rusia

0Shares

Papa Françesku ka quajtur çeçenët dhe burjatët (një minoritet mongol në Rusi) si trupat më gjakatare që po luftojnë në Ukrainë. “Më gjakatarët janë ata që luftojnë për Rusinë, por nuk kanë traditat ruse, si çeçenët, burjatët e kështu me radhë”, tha Papa në një intervistë të publikuar të hënën.

“Flas për njerëzit që janë martirizuar. Nëse ke martirë, atëherë dikush i ka vrarë”, shtoi papa në intervistën për revistën jezuite “America”, të dhënë më 22 nëntor.

Çeçenët kanë shtetin e tyre brenda Federatës Ruse dhe ndryshe nga rusët ortodoksë, janë të besimit mysliman. Edhe burjatët kanë republikën e tyre dhe janë shumica të besimit ortodoks ose budistë. Lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, ka qenë një ndër mbështetësit më të mëdhenj të Putinit në luftën e tij në Ukrainë e madje pretendon se ka dërguar edhe djemtë e tij për të luftuar atje.

Loading video

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, mbrojti përbërjen multietnike të Rusisë, duke shkruar në kanalin e saj në Telegram: “Ne jemi një familje me brujatët, çeçenët dhe përfaqësuesit e tjerë të shtetit tonë me shumë kombe dhe shumë besime fetare. Të gjithë bashkë me siguri që do të lutemi për Selinë e Shenjtë, secili në mënyrën e vet”.

Kreu i Kishës Katolike foli edhe për përvjetorin e “Holodomor”, ditën që përkujton urinë e kaploi Bashkimin Sovjetik në kohën kur drejtohej nga Joseph Stalin dhe ku miliona ukrainas humbën jetën në vitet 1932-33. “Gjenocidin që Stalini kreu kundër ukrainasve besoj se është me vend ta përmendim se i ka paraprirë konfliktit të sotëm”, tha Papa.

Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, Papa Françesku dhe kreu i Kishës Ruse, Patriarku Kirill, kanë debatuar në distancë me njëri-tjetrin, ndërsa dy takime mes dy kishave janë anuluar. Që prej skizmës së madhe të ndodhur në shekullin IX, liderët e dy kishave janë takuar vetëm një herë, në Kubë, në vitin 2016.

Debati në distancë vjen vetëm disa orë pasi Kremlini mbështeti nismën e Vatikanit për të ndërmjetësuar negociatat e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës. Për këtë çështje, zëdhënësi Dmitry Peskov, vijon të këmbëngulë se dialogu është i pamundur aktualisht pasi Kievi refuzon. “Operacioni special ushtarak do të vazhdojë”, konfirmoi ai. Në terren, Ukraina bën bilancin. “Në vetëm një javë, armiku shënjestroi 30 ndërtesa në rajonin tonë Kherson, duke kryer 258 sulme raketore. Ushtria ruse dëmtoi stacionin e pompave, që furnizon me ujë Mikolaivin”, tha Volodymyr Zelensky.

Organizata e Kombeve të Bashkuara njofton se nga lufta kanë humbur jetën të paktën 6600 civilë dhe janë plagosur të paktën 10 mijë të tjerë. Për të minimizuar dëmtimin e jetëve të tjera, NATO premton të vijojë me paketat e ndihmës, si humanitare ashtu edhe ushtarake për Kievin.

“Për të krijuar kushtet për një paqe që zgjat dhe garanton që Ukraina të triumfojë si një shtet i pavarur dhe sovran, ne duhet të vazhdojmë të garantojmë mbështetje ushtarake për Ukrainën. Prandaj, mesazhi ynë nga Bukureshti është se NATO është këtu, se jemi të vëmendshëm dhe do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa do të jetë të nevojshme. Ne nuk do të dorëzohemi”, tha Jens Stoltenberg.

Ndërkohë, Rusia ka humbur dhe një tjetër betejë në terren. Kievi dhe qytete të tjera kanë dalë nga errësira që erdhi pas bombardimeve masive, pasi autoritetet rregulluan të gjitha defektet në rrjetet e shpërndarjes.

Arabia Saudite depoziton 5 miliard dollarë në bankën qendrore turke

Disidenti.net

Talebanët i futen biznesit, shndërrojnë bazat amerikane në zona ekonomike

Disidenti.net

Rrëzohet helikopteri në Kiev, vdes ministri i Brendshëm i Ukrainës dhe 15 persona të tjerë

Disidenti.net