Disidenti
Lajme

“O m’kapi plumbi, ka qenë i mbuluar në gjak, gjall o kon… Patëm me ju vra tonve” / Dëshmia e vëllaut të 23 vjeçarit që u vra

0Shares

I dëmtuari Hoxha, në cilësinë e dëshmitarit, rrëfeu ditën kritike se si kishin bërë plan me familje të darkonin së bashku natën e madhe të Ramazanit.

Pas asaj darke, duke dalë jashtë, ai tha se kishte ndaluar te tualetet, ndërsa vëllai i tij Mahmuti dhe tani i ndjeri F. kishin vazhduar jashtë së bashku me familjarët e tjerë.

Tek ndalesa e tij ai tha se kishte filluar t’i dëgjonte disa zhurma dhe ka vazhduar të dalë jashtë menjëherë, nga pjesa e pasme e restorantit, duke shkuar te drejtimi i vëllezërve të tij, dhe se në ato momente kishte dëgjuar një zë mashkulli duke thënë “o vrani, o vrani”.

Aty tha se kishin qenë mbi tre persona, të cilët, sipas tij, i kanë goditur dy vëllezërit e tij me mjete të forta, si lopatë, zinxhir, shkop, edhe gjëra të tjera.

“Në ato momente e kam kapë njërin nga sulmuesit dhe në atë çast e kam ndi vëllain Mahmutin “o më kapi plumbi”, si dhe në atë moment e kam ndi një zë tjetër “o vraje edhe kta, o vraje edhe kta”, tha Hoxha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se gjatë gjithë kohës një zë nga ana e majtë i vinte duke thënë “o lësho ta vraj edhe kta”, që, sipas tij, i kishte ardhur nga personat aty që ishin, duke sulmuar, duke gjuajtur me armë në drejtim të tij.

“E kam dëgju një të shtënë, atëherë ka gjujt n’mu, prapë nuk e di mbas sa prapë më ka gjujt mu edhe e kam ndi një zë duke thënë o gjuje në kry, nuk kom pas mundësi mi pa vëllezërit se nonstop kan goditë mbi mu, kanë qenë mbi tre vetë, që më kanë godit me lopatë me zinxhir, me kanë goditë në trup kokë, gjethku”, tha i dëmtuari Albert Hoxha.

Pas gjithë atyre goditjeve, ai tha se i ka dëgjuar një apo dy të shtëna dhe duke thënë “o ikni se nau blloku alltija”, mirëpo, sipas tij, ata prapë nuk ishin ndalur duke e goditur të dëmtuarin Albert.

“Në atë moment e di se u afru dikush me më tërhekë apo me ndalë sulmin, e di një njëri… me flokë të zeza e më një jakne jo shumë të gjatë, e ka ndalë dhe i ka thënë ec prej ktuhit se nuk ki nevojë me ndalë sulmin, personi që ka tentuar me ndalë sulmin ka qenë vëllai i pronarit”, tha dëshmitari.

Sipas tij, personi që kishte qenë duke goditur dhe që i kishte thënë ashtu ka qenë i akuzuari, Basri Gashi.

Më pas dëshmitari tha se ka shkuar të kërkonte vëllezërit e tij.

“Vëllain e gjeta tek hyrja e restorantit pak më larg, jam nisë direkt e në drejtim të vëllait Fazlis, por në atë moment kam ndi prapë një zë “veq nau blloku alltija, se patëm me ju vra tonve”. Dhe kom ndi se janë nisë nga mbyllja e dyrve të makinës edhe direkt ka ardhë në drejtim timin dhe Fazlisë me na shkelë me makinë, por e kam tërhekë me aq forcë sa kisha”, rrëfeu Hoxha.

Gjendja e vëllait të tij tani të ndjerë, tha se ishte e mjerueshme.

“Ka qenë i mbuluar në gjak, gjall o kon, por nuk ka mujtë me folë, me frymëmarrje shumë të zorshme”, tha Hoxha.

I dëmtuari Hoxha tha se edhe ai kishte pasur shumë lëndime, si qarje të kokës, qarje të vetullës dhe qarje të gishtit.

Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e njërit nga kamerierët e restorantit, dëshmitarin Elbasan Berisha, i cili tha se nuk i njeh të akuzuarit, ndërsa tha se Mahmut Hoxhën e njeh pasi ishte mysafir në lokalin e tij.

Natën kritike të darkës së iftarit, ai tha se u kishte shërbyer familjes Hoxha.

Dëshmitari Berisha tha se nuk kishte dëgjuar asgjë në fillim, derisa një fëmijë kishte shkuar brenda lokalit duke bërtitur e kërkuar ndihmë.

Ai tha se kur ka dalë jashtë nga dera e restorantit, i kishte pa duke u rrahur.

“Unë kam parë, por kemi qenë qaq në stres sa nuk më kujtohet. E kemi parë një të vram në anën tjetër, Mahmuti ka qenë i plagosur, kemi dëgjuar të shtëna, por nuk jam i sigurt se sa të shtëna kanë qenë”, tha dëshmitari Hoxha.

Ai tha se kishte qenë duke i ndarë, por tha se në ato momente ka mundur që edhe atë ta kapte ndonjë nga goditjet me lopatë.

Tutje tha se e kishin njoftuar policinë menjëherë, por ata ishin ardhur shumë vonë, ndërsa ata janë munduar t’u japin ndihmë të dëmtuarve, ndërsa shtoi se i vrarë kishte mbetur vëllai i tyre F.

Dëshmitari Berisha tha se nuk e dinte se të akuzuarit Gashi ishin duke i pritur vëllezërit Hoxha jashtë.

“Njëri me tesha të baushtellës ka pasë lopatë në dorë, ka qenë duke e sulmuar Mahmutin. Kam dashur ta ndaloj që mos t’i bien, por nuk e di kush saktë me ka shty, ka mundësi të jetë dikush nga familja Gashi. Përfundimi ka ardhur shumë shpejt, ata kanë ikur shumë shpejt”, tha dëshmitari Berisha.

Gjatë kësaj seance ishte planifikuar të dëgjohej edhe dëshmitari Ismet Berisha, pronari i restorantit “Villa Park”, mirëpo, për shkak të përfundimit të orarit të rregullt, e njëjta u shty për muajin janar të vitit 2024.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e përmirësuar më 3 shkurt 2023, ngarkon gjashtë të akuzuarit: Nderim Gashi, Basri Gashi, Agron Gashi, Ardit Gashi, Bahri Gashi dhe Ylli Gashi, për “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri, më 28 prill 2022, rreth orës 20:30, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës, në parkingun e restorantit “Villa Park”, të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje, e me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, privojnë nga jeta viktimën F.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë. Kurse, Ylli Gashi akuzohet se ndihmoi në kryerjen e vrasjes, duke siguruar armën për të pandehurin Nderim.

Kurti pret që BE-ja t’i largojë masat ndaj Kosovës: Nuk kanë qenë të drejta asnjëherë, tash janë bërë edhe absurde

Disidenti.net

Dështon ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë – mjekët, mësimdhënësit, policët, zjarrfikësit, mbesin pa rroga

Disidenti.net

Aksion i Antidrogës në Pejë: Sekuestrohet mbi një ton drogë në vlerë të rreth 5 milionë euro

Disidenti.net