Disidenti
Lajme

“Një euro, një ari tokë” – Rënia e qeverisë lë të papërfunduar hetimin e privatizimit

0Shares

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë e ka lënë punën në gjysmë për shkak të rënies së Qeverisë. Nuk dihet nëse do të rinisë punën një komision tjetër në këtë legjislaturë, aty ku e la ai i kaluari.

Procesi i privatizimit në Kosovë kishte përfunduar në një Komision hetimor parlamentar, i cili kishte konkluduar se ekzistojnë indikacione që ky proces është përcjell me parregullsi të shumta.Ky Komision që ishte formuar me iniciativën e grupit parlamentar të PDK-së ka qenë ndër më aktivët në legjislaturën e kaluar, por nuk ka mundur të përfundojë punën.

Komisioni parlamentar hetimor kishte intervistuar shumë dëshmitarë, përgjegjës të procesit të privatizimit.

Të ftuar kanë qenë ish-ministra përgjegjës për privatizimin, kryesues dhe anëtarë të bordit dhe ish-kryesues dhe anëtarë të bordit të AKP-së dhe AKM-së, drejtorë menaxhues dhe ish-drejtorë menaxhues të AKP-së dhe AKM-së dhe ish-zyrtarë të UNMIK-ut të shtyllës së katërt, që në atë kohë e kishin mbuluar privatizimin.

“Kemi mbetur në fazën përfundimtare. Realisht i kemi grumbulluar informacionet, i kemi përpunuar. I kemi kryer shumicën e intervistave me personat që komisioni patë vlerësuar që kanë qenë me ndikim në AKP. I kemi identifikuar edhe disa nga privatizimet që ne kemi konsideruar që ka shkelje procedurale. Për shkak të rënjës së Qeverisë nuk kemi mundur që procesin ta përmbyllim në tersi”, tha për lajmi.net ish deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, i cili ka qenë edhe nënkryetar i këtij Komisioni

.Ai tha se PDK ka qen e interesuar që t’i shkojë deri në fund këtij procesi.

“Mendoj që puna duhet të vazhdojë nga aty ku ka mbetur. Pra, që përbërja e re e Kuvendit të fillojë prapë më këtë proces, i cili është i rëndësishëm për opinionin . Deri aty ku ka shkuar, komisioni ka bërë një punë të shkëlqyeshme”, shtoi tutje Hoxha.

Hajrullah Çeku, ish kryetar i këtij Komisioni nuk ka dashur të deklarohet, se deri ku kanë shkuar hetimet nga komisioni, apo nëse duhet të ketë një komisionin pasues.

Anëtari tjetër i këtij Komisioni, ish deputeti i AAK-së, Bekë Berisha tregon për qëllimin që kishte hetimi i komisionit.

“Komisionet parlamentare bëjnë një far hetimi dhe shikohet në fund se a ka material për me ngrit një aktakuzë dhe në këtë komision nuk ka pasur konsensus për shumë gjëra, është shfrytëzuar më shumë për çështje mediatike, për më e nxjerr ndonjë lajm. Si duket nuk ka qenë qëllimi për tu nxjerr diçka e dobishme nga ajo”, tha Berisha.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri nuk ka dashur të flasë nëse partia e tij do të kërkojë përsëri që të formohet një tjetër komision i cili do të përfundonte këtë nisë.Nuk ka dashur të deklarohet as Mimoza Kusari Lila nga Lëvizja Vetëvendosje.

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë përbëhej nga dhjetë deputetë, tre nga LVV, tre nga LDK, dy nga PDK, një AAK, dhe një Lista Serbe.

Intervistimi i dëshmitarëve kishte filluar më 12 tetor, pas sigurimit të një dokumentacioni nga institucionet relevante si Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe institucione tjera. Për shqyrtimin e këtij dokumentacioni janë angazhuar edhe ekspertët e jashtëm.Një nga dëshmitarët i cili ka deklaruar në Komision hetimor parlamentar është ish-kryesuesi i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Blerim Rexha.

Ai ka deklaruar për parregullsi në privatizimin e aseteve publike.Në një rast të privatizimit të tokave ai ka thënë se 50 hektarë tokë publike, janë shitur për 5 mijë euro, që i bie se 1 ari tokë është shitur për 1 euro.Rexha ishte në krye të kësaj detyrë në vitin 2013, por kishte dhënë dorëheqje pas tre muajve.Ishte intervistuar edhe ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadriu.

Ai ka deklaruar edhe për djegien e dokumenteve të cilat ishin bërë në vitin 2008. Kishte thënë se ky rast nuk është hetuar asnjëherë.Puna e Komisionit Hetimor ishit thënë se përfundon në momentin që raporti me rekomandime dërgohet në seancë plenare.Ndërkaq, pjesa tjetër e veprimeve varet nga rekomandimet që do të dalin nga të gjeturat dhe dëshmitë e grumbulluara, që do të mund t’i hapë rrugë për veprime të institucioneve të tjera, përfshi gjyqësorin.

Nga ana tjetër, Qeveria e re e Kosovës ka pezulluar çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin dhe tjetërsimin e ndërmarrjeve shoqërore nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Gjatë fushatës zgjedhore, Kurti ka thënë se synon të shuajë aktivitetin e AKP-së. Në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se do krijohet Fondi Sovran dhe asetet e AKP-së do të kalojnë në pronësi të Fondit Sovran.Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003 dhe vazhdimisht është kritikuar për mostransparencë, korrupsion e në disa raste është cilësuar edhe si proces i “shkatërrimit” të ndërmarrjeve shoqërore.

Ky proces ka filluar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM). Në vitin 2008 është pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Ndërron jetë nëna e Edmond Lajqit, një ditë pasi djali i saj vrau bashkëshorten

Disidenti.net

Ekskluzive: Shteti vendos të krijojë Task Forcë për rastet e dhunës ndaj grave

Disidenti.net

“Atë që e deshi ia mori jetën, pasnesër do ta festonte ditëlindjen”, mes lotëve flet familjarja e gruas së vrarë në Pejë (VIDEO)

Disidenti.net