Hetimet nga policia dhe prokuroria lidhur me dyshimin për heqje të lirisë janë ende në vazhdim sepse ka indikacione për autorë të mundshëm.
Lajmi për rrëmbimin e saj, siç pretendohej të kishte ndodhur, kishte shqetësuar shumëkë. Më 10 qershor, një grua 34-vjeçare nga Meckenheim-i dhe djalin e saj tre-vjeçar dikush i kishte futur në një makinë dhe i kishte rrëmbyer. Një banore kishte vëzhguar sulmin e pretenduar dhe kishte raportuar në RTL.
Në kuadër të masave të hetimit të gjerë kriminal nga policia e Bonit, gruaja 34 vjeçare dhe djali i saj tre vjeçar janë gjetur nga policia lokale në Kosovë të hënën (14.06.2021), shkruan rtl.de.
Nuk kishte indikacione për një rrezik aktual ose dëmtim të dy personave lidhur me këtë rast, transmeton albinfo.ch. 34-vjeçarja, për të cilën ishte thënë se ishte futur kundër vullnetit të saj në makinë, në Meckenheim më 10 qershor 2021, ka deklaruar se po qëndronte në Kosovë vullnetarisht.
Ky informacion është konfirmuar nga vetë gruaja e cila ka raportuar me telefon në policinë e Bonit pasditen e kaluar, transmeton albinfo.ch. Në këtë thirrje telefonike dhe në një thirrje pasuese me video, ajo u kishte dhënë dy detektivëve informacione për vendndodhjen e saj aktuale në Kosovë, ku po qëndronte vullnetarisht te një pjesëtar i familjes.