Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka reaguar pasi që ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë para qytetarëve të Gjakovës, se listat e veteranëve janë të fryra.
Klinaku përmes një postimi në Facebook, ka thënë se hapat për një gjuhë të përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe shoqatave te dala nga lufta, është gënjeshtër, pasi që sipas tyre nuk ka pasur asnjë kontakt mes palëve.
“Përsëri filluan sot që t’i bëjnë temë veteranët, e që për mendimin tim kjo bëhet vetëm për vota, prandaj nuk duhet që t’ju besohet. Sa i përket asaj se si qeveri paskan bërë disa hapa që të vijnë në një gjuhë të përbashkët me shoqatat e dala nga lufta dhe subjektet opozitare, absolutisht nuk është e vërtetë, sepse që nga shkresa e dërguar te kryeministri Kurti, nuk ka pasur më asnjë kontakt në mes nesh e rreth kësaj teme”, ka shkruar Klinaku.Ai tutje ka publikuar edhe shkresën drejtuar kryeministrit, Albin Kurti, se si duhet bëhet me ligjin e ri apo amendamenteve të ligjeve aktuale në fuqi.
“Sa i përket çfarëdo ligji të ri për veteranët, apo amendamenti të ligjeve aktuale në fuqi, këtë gjë e kemi thënë se kur dhe si mund të bëhet kjo, në shkresën tonë drejtuar qeverisë, prandaj po e publikojë edhe një herë shkresën që të mos manipulohet publiku. Nëse e kanë qëllim që të përgatitet apo manipulohet publiku e pastaj të dal në Kuvend për lexim të dytë projektligji që i heq veteranët nga paga minimale, e them përsëri se neve do të jemi përsëri në protesta në oborr të Kuvendit”, ka thënë Klinaku.
Tutje ai ka përmendur edhe protestën, duke ftuar veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve që të jenë të përgatitur.
“Veteranë të nderuar, invalidë e familje të dëshmorëve, të jeni të përgatitur që nëse ju thërrasim në protestë, të dilni sa më masovikisht”, ka përfunduar Klinaku.