Në rastin ku Murat Meha po kërkon nga ish-deputeti Gani Dreshaj dëmshpërblimin prej 200 mijë euro, me arsyetimin se ky i fundit ka shpifur për të, avokati Armend Lokaj ka kërkuar që palës së paditur t’i dorëzohen edhe një herë shkresat e lëndës.
Në seancën e së enjtes, i autorizuari i të paditurit, avokati Lokaj ka thënë se propozimin që palës së paditur edhe njëherë t’i dorëzohen shkresat e lëndës, e bën për faktin se autorizimin nga i padituri e ka pranuar vetëm dy ditë përpara, respektivisht me 22 qershor 2021.
Ai tha se i padituri nuk është në dijeni se i ka pranuar shkresat e lëndës dhe se nuk ka pasur mundësi që atë ta pajisë me të njëjtat, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Me qëllim që kjo seancë të mos shtyhet, ne i propozojmë gjykatës që pasi t’i pranojmë shkresat e lëndës lidhur me pretendimet e palës paditëse të japim deklarimin tonë përmes parashtresës, për faktin e nuk e di çka dhe çfarë provave përmban padia. Me qëllim që të mbrojturit t’i sigurojmë një mbrojtje sa më profesionale dhe eventualisht mos t’i shkelet e drejta në procedurë, kërkojmë nga gjykata ta aprovojë propozimin tonë si më lartë, të na sigurohet shkresat e lëndës të kërkuara, e që pas pranimit të të njëjtave në kuptim të dispozitave si palë e paditur do të deklarohem përmes parashtresës”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, i autorizuari i paditësit, avokati Gjuran Dema e ka kundërshtuar propozimin e palës së paditur, pasi siç tha ai një propozim i tillë është i pabazuar.
“Në këtë çështje juridiko-civile ka qenë e caktuar edhe një shqyrtim paraprak, e që nënkupton që padia së bashku me provat e propozuara në të i janë dorëzuar të paditurit, ashtu që në këtë fazë i padituri nuk ka paraqitur as përgjigje në padi.”, ka thënë avokati Dema.
Pas kësaj, avokati Lokaj deklaroi se nuk e vënë në dyshim konfirmimin e gjykatës që i padituri e ka pranuar aktvendimin së bashku me shkresat e lëndës, duke shtuar se ai si mbrojtës është kontaktuar nga i padituri në mënyrë elektronike dy ditë para seancës në fjalë.
“Ne jemi të vetëdijshëm se afati lidhur me përgjigjen në padi ka kaluar, mirëpo shkaku i rrethanave të krijuara ne kërkojmë që vetëm lidhur me këtë seancë përgatitore të përgjigjem me parashtresë, pasi që të pranojmë shkresat e lëndës”, ka thënë Lokaj.
Sipas padisë së ushtruar më 24 maj 2017, Murat Meha po kërkon nga i padituri Gani Dreshaj dëmshpërblim për shpifje, në vlerën 200,000.000 euro
Sipas padisë, i padituri Dreshaj përmes mjeteve informuese, “RTV Dukagjini” dhe lajmeve në portale të internetit, më 3 maj 2017 ka përhapur lajme të pavërteta për të kaluarën e paditësit Meha, për aftësitë e tij profesionale e njerëzore dhe për familjen e tij.
Aty thuhet se Dreshaj, në rubrikën “Intervista” të RTV Dukagjini, duke u përgjigjur lidhur me pyetjet për caktimin e vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, ka shpifur në dëm të paditësit ku ky i fundit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte caktuar kryetar i Komisionit për caktimin e kufirit, duke deklaruar se “Ne dimë bjeshkën pllamë për pllamë dhe e dijmë ku na ka ndalur policia kur kemi shku te pobratimat tanë në Rozhajë. Kur kemi shku atje na ka nal polici Deniq e Meta. Për demarkacionin askush nuk na ka thanë se ai duhet të jetë te kjo vijë. Sa për çështjen kush e ka udhëhequr demarkacionin, në fillim ishte nji djal i Istogut shumë i nershëm që nuk du me ia përmend emrin.