Disidenti
Lajme

“Mjerim, provokim, shkarkim” – deklarata skandaloze e Sveçlës nxit reagime të ashpra

0Shares

Qeveria e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, tash e disa ditë po përballet me kritika të njëpasnjëshme nga oponentët politikë, shoqëria civile, por edhe nga qytetarët. E gjithë kjo katrahurë e cila shkaktoi edhe përplasje fizike në Kuvend, erdhi pas publikimit të disa audioincizimeve, ku është e përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila dhe nënkryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq. Këta të fundit po akuzohen nga opozita se janë koordinuar kundër veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë lënë jashtë rritjes së pagës minimale. E gjatë ditës së sotme, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, publikoi një status në Facebook, – ku përmenden edhe veteranët – e i cili po cilësohet si SKANDALOZ, raporton Gazeta Sinjali.

Sveçla në postimin e tij ngriti dyshimet për protestën e thirrur sot nga veteranët dhe hodhi akuza të rënda drejt organizimit të saj. Ai bëri një lidhshmëri të protestës me luftën hibride nga Serbia, duke thënë se kjo po përdoret si nxitje e trazirës. E edhe përgjimet e Kusari Lilës, i cilësoi si luftë hibride të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë. Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”, shkroi ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se deklarata e Sveçlës është provokim për të eskaluar protesta. Sipas tij, vetëm një Qeveri e dështuar dhe pa fijen e ndërgjegjes, kërkon siç thotë ai, dhunë në mesin e popullit të saj. Për këtë arsye, Krasniqi u bëri thirrje veteranëve të vetëpërmbahen. Qeveria, sipas kreut të opozitës, e ka humbur arsyen dhe tani kërkon shpëtimin në përplasje civile.

“Qeveria kërkon përplasje. Përmes një deklarate skandaloze dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve, nxitëse mbi të gjitha – Qeveria e Albin Kurtit po kërkon përplasje. Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj”, shkroi Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka quajtur ofenduese, nxitëse dhe të pamatura deklaratat e Sveçlës. Si rrjedhojë, Abdixhiku kërkon që ai të shkarkohet nga pozita e ministrit të Brendshëm.

“Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit të Punëve të Brendshme. Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i ish luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë. Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë”, shkroi ai në Facebook.

I ashpër me kritika ishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti, që t’i tërheq ‘sejmenët e tij’ dhe të ndalojë përçarjen e popullit.

“Pushteti nuk është gjithçka. Albin Kurti, tërhiqi mbrapshtë sejmenët e tu. Lëri njerëzit të protestojnë për të drejtën e tyre dhe mos e ndajë e mos e përçajë popullin. Ato që dikur e ke shfrytëzuar si të drejta per vete, (protestat e demonstratat) mos provo t’ua ndalosh të tjerëve. Nuk ta kanë fajin veteranët, as shoqëria civile, as mediat, as gazetarët e as opozita! Fajin e ke vet që nuk po qeverisë me vendin, por po mundohesh ta sundosh atë. Unë sot jam me të gjithë ata që protestojnë në sheshet e Prishtinës!”, shkroi ai.

“Gjuhë e rrezikshme dhe e papranueshme në drejtim të medieve dhe gazetarëve”. Kështu cilësoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës deklaratën e Sveçlës. Sipas tyre, kjo gjuhë është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit të për të frikësuar mediet.

“Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediet”, thuhet në reagim.

Reagime pati edhe nga deputetë e anëtarë të tjerë të partive opozitare.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kjo deklaratë e ministrit Sveçla është skandaloze e mjerim.

“Skandaloze deklarata e Ministrit Xhelal Zvecla. Ministër, je aty me e mbrojtë rendin, ligjin, Kushtetutën. Jo me i sulmu mediat. Jo me e cënu fjalën e lirë. Po sillesh si Komisar. E për gjuhën kundër veteranëve, spo flas. Turp dhe mjerim”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

Bashkëpartiakja e saj, deputetja, Blerta Deliu-Kodra, tha se ky qëndrim është provokim i hapur që protesta e veteranëve të eskalojë në dhunë, teksa e quajti Sveçlën ‘ministri palaço’.

“Gjithsesi, më e pakëta, ky qëndrim është provokim i hapur që sot protesta e veteranëve të eskaloj në dhunë. E turpshme, Ministër!”, shkroi ajo.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, ka thënë se ajo çfarë po bën sot Sveçla, është ‘kapak i luftës hibride’. Kica Xhelili ka thënë se ai duhet të shkarkohet menjëherë nga pozita e ministrit.

“Ministri i Punëve të Brendshme duhet urgjentisht ta ndale këtë propagandë të maskuar e këtë thirrje të rrezikshme për krizë. Për çdo shkronjë të statusit të tij ku ndërlidh akterë kosovarë me Serbinë mban përgjegjësi jo vetëm politike por ligjore”, shkroi mes tjerash ajo.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i cili dikur ishte shok partie me Sveçlën, e ka kritikuar ashpër këtë të fundit, duke e quajtur ‘kryepolic’. Sipas Molliqajt, sulmi i Sveçlës vjen nga frika dhe ka disa qëllime të liga, teksa tha se shkopi i tij drejtohet nga shefi i tij.

“Shkopi i kryepolicit drejtohet nga shefi i tij. Gënjeshtrat që po i thotë lidhur me qëllimet e protestës, mos vallë janë të vërteta për pushtetin e tyre? Sepse me situatën e krijuar në veri kush më shumë se Kurti nuk iu përshtat interesave të Viciqit për autonomi.  Shkopi i Xhelalit do ta godas vetëm atë. Protestat duhet të rriten, si dhe thirrja për shkarkim të këtij kryepolici servil”, shkroi ai në Facebook.

Ndryshe, protesta e sotme është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së me qëllim të kundërshtimit të “koordinimit të Qeverisë me Milan Radojiçiç-in” dhe “kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së”.

Ajo pritet të fillojë në orën 18:00 në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë.

Në njoftimin e publikuar dje nga organizatorët e protestës thuhet se do të kërkohet që Mimoza Kusari-Lila ta dorëzojë mandatin e saj të deputetes.

“Qeveria e Kosovës nuk po tërhiqet na veprimet skandaloze. Prandaj, të shtunën më 15 korrik protestojmë të gjithë kundër skandaleve qeveritare, kundër koordinimit me Millan Radojqiqin! Kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së. Mimoza Kusari, duhet ta dorëzojë mandatin. Një politikane që është zënë duke u koordinuar me Milan Radojçiqin, kundër luftërave të UÇK-së nuk duhet të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Për protestën ka folur sot Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së.

Ai ka thënë se janë bërë gati për protestën e sotme, dhe se do të jenë në shesh në 18:00.

“Ne jemi gati, kemi njoftuar edhe dje se do të marrim pjesë në protestën e sotme”, ka thënë Klinkau për Gazetën Sinjali.

I njëjti sot ka thënë se nuk ka komunikuar më veteranët e zonave tjera, por sipas komunikimeve të më hershmë – ata do të jenë në shesh për të kundërshtuar skandalet qeveritare dhe Ligjin për Pagën Minimale.

Nuk e di se a do të marrin shumë njërëz pjesë, por besoj se do të jenë të shumtë, ka thënë tutje Klinaku.

Sot i jepet lamtumira e fundit 16-vjeçarit që u qëllua nga tezaku polic në Istog

Disidenti.net

Koci lajmërohet nga Serbia: Isha në morg, prej orësh jam në stacion policor të Lloznicës

Disidenti.net

Arrestohet Ujkan Metaj i arratisuri nga Dubrava, kapet në fshatin e tij

Disidenti.net