Andi Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”, ka shoqëri të vjetër me Hysni Gecin, pjesëtarin e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), tregon një fotografi të cilën e ka siguruar Paparaci.
Dy të implikuarit në tragjedinë e lokalit të natës ‘Bon Vivant’ të shtunën e javës së kaluar, kanë miqësi me njëri-tjetrin, së paku, që nga viti 2018. Atë vit, ata kishin publikuar një fotografi ku shiheshin së bashku me njëri-tjetrin.
Fotografia ishte publikuar në rrjetin social Facebook.
“Me jarana”, kishte shkruar ushtari Hysni Geci në mbishkrimin e fotografisë në të cilën shfaqej në shoqërinë e Andi Pajazitit dhe tre personave të tjerë
Prishtina u trondit mbrëmjen e 4 gushtit nga të shtënat me armë në lokalin ‘Bon Vivant’, pas një konflikti verbal mes disa të rinjve.
Në këtë rast ka ndërruar jetë një person ndërsa 17 të tjerë janë lënduar. Të përfshirë në natën e sherrit ishin edhe Andi Pajaziti “Italiani” dhe Hysni Geci. Të dy shihen në një video të rastit, të publikuar nga Paparaci disa ditë më parë.
“Italiani” dyshohet për vrasjen e Kastriot Ramadanit. I arrestuar mesnatën e së shtunës, ai ndodhet për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Italiani” është person me dosje të rëndë penale, i dyshuar për disa vepra kriminale në të kaluarën.
Rreth tri vite më parë, Andi Pajaziti ishte arrestuar nga policia nën dyshimin për përfshirje në plagosjen me armë zjarrin të katër rojeve të klubit të natës “Duplex”.
Ai ishte arrestuar më 26 nëntor, 2019, pasi kishte qëndruar për disa javë në arrati së bashku edhe me dy persona të tjerë, përfshirë Astrit Mehmetin, të njohur me pseudonimin “Llepota”./Paparaci.com