Mijëra euro janë grumbulluar vetëm në opsionin online për pacientin Adnan Syla, që sipas QKUK-së del së kurrë nuk ka qenë pacientë. Për këtë rast ka grumbulluar para edhe këngëtari Labinot Tahiri. Por, si u nis krejt kjo skemë mashtrimi? Në emër të kujt u hap xhirollogaria në Kamenicë, për një pacient nga Gjakova? Si ra pre e kësaj thirrje publiku që po dhuronte para? Insajderi sjell detaje ekskluzive. Një hetim i policisë për të njëjtin rast tashmë ka nisur.
“Adnan Syla Gjakovë”. Kërkimi i këtyre tri fjalëve në Google do të jep një rezultat më shumë publikime. Janë plotë tri faqe në këtë makinë kërkimi që japin të dhëna për një pacient që po vuante nga një sëmundje e veshkave. “Atij i duhej t’i bëhej transplantimi i dy veshkave, të cilat tashmë i ka jashtë funksionit”, thuhet në këto lajme që filluan të qarkullonin në mes të shtatorit të këtij viti.