Gjatë ditës së sotme kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti së bashku me ministrin në detyrë të shëndetësisë, Armend Zemajn, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani, ministrin në detyrë të arsimit, Ramë Likaj e zëvendësministrin e arsimit në detyrë, Xhavit Rexhajn, janë takuar me përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe Këshillin e Prindërve.
Në këtë takim është propozuar që të ketë një javë pushim për të gjithë procesin mësimor, shkruan Indeksonline.
E ky pushim është propozuar nga data 22 mars deri më 26 mars.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jashari, në një deklaratë për Indeksonline ka thënë se takimi me palët e lartcekura ishte takim konsultativ.
“Takimi ishte konsultativ, kryeministri dëshironte të dijë vlerësimin e të gjitha palëve. Nuk ishte një takim që do të sjell ndonjë vendim të prerë por do të ketë takim me Komiteti Anti Covid -19, e nga ky takim ne e presim vendimin përfundimtar që jemi marr vesh të jetë obligativ për të gjithë”, ka thënë Jashari.
Ndërkaq kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh.
Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë se mësimi do të vazhdojë normal të hënën pasi që nuk është marrë ndonjë vendim për pushim njëjavor siç propozoi Ministria e Arsimit ditë më parë.
“Kemi dalë me një propozim që nxënësit të shkojnë në pushim njëjavor. Dhe në fund të javës të vendoset për situatën epidemiologjike por do të shohim se për çfarë modalitete do të vazhdojmë. Konsiderojmë se masa të tilla duhet të merren si pjesë e një pako për uljen e rasteve. Ne në arsim kemi dal me propozim 1+1. Dhe që të ruajmë resurset që të mos vije situata që të mos kemi mësimdhënës”, ka thënë Rexhaj në këtë mbledhje.
Jashari ka thënë se SBAShK’u është zotuar se çfarë do që të ndodhë në vendimin e tyre do të pajtohen e më këtë ai ka dëshiruar që të ulet numri i rasteve me Covid-19.
“Çfarë do që të ndodhë ne vendimin e tyre do të pajtohemi e më këtë dëshirojë që të ulet numri i rasteve me Covid-19. Por me keqardhje të them se mësimi online nuk i jep rezultatet që i jep mësimi brenda institucioneve arsimore, pra ka rëndësi të jetë shëndeti primar për nxënësit dhe personelin arsimorë”, ka thënë Jashari.
I pyetur se a pritet të ndodhë ndonjë grevë nga SBAShK’u, Jashari ka thënë se cilin do vendim që e sjellin ekspertët e shëndetësisë ata e dinë më mirë gjendjen.