Mikrobiologu Lul Raka, ka thënë se antibiotiku duhet të ndalohet së përdoruri për infeksionet virale, siç ndodh rëndom në Kosovë.
Raka ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se përdorimi i tepruar i antibiotikëve krijon rezistencën anti-mikrobike, duke shkaktuar edhe vdekshmëri të lartë në botë si pasojë e problemeve me rezistencën ndaj antibiotikëve.
Sipas tij, nëse vazhdohet me trendin aktual të përdorimit të antibiotikëve, në vitin 2050 më tepër njerëz do të vdesin prej infeksioneve me mikrobe, sesa nga kanceri.
“Përdorim të panevojshëm më së shumti ka te infeksionet që shkaktohen prej virusëve. Flama është infeksion viral, antibiotikët përdoren me shumicë në Kosovë e në botë në këto raste, infeksioni shërohet me qaj me terapi simptomatike, s’ka nevojë të merret antibiotik. Problemi tjetër është vetë-mjekimi i pacientëve. Një pjesë e madhe e tyre nuk shkojnë fare te mjeku por shkojnë dhe blejnë anti-biotik”, ka thënë Raka.
Raka ka shtuar se në Kosovë ka pasur nivel të ulët të përdorimit të anti-biotikëve mirëpo pas pandemisë COVID-19, ky nivel është rritur.
“Kosova prej 2011 ka hyrë në sistemin e mbikëqyrjes së antibiotikëve. Prej vitit 2011, Kosova ka qenë në vendin e 10 në konsumin total të antibiotikëve për kokë banorë. Gjashtë vite më vonë, pak para COVID-19, prej vendit 10 kemi rënë në vendin 19. Konsumi i përgjithshëm i krejt antibiotikëve ka rënë. Vetëdijesimi është rritur. Edhe mjekët një pjesë e tyre kanë kontribuar. Ka pasur përmirësim deri para COVID. Gjatë COVID në Kosovë ka pasur rritje të përdorimit të antibiotikëve”, është shprehur Raka.
Të mërkurën në Kosovë është mbajtur tryeza në kuadër të “Javës Botërore e Ndërgjegjësimit për Rezistencën Antimikrobike”, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Në fjalën e saj, Ministrja Gexha theksoi se Rezistenca Antimikrobike është sfidë e shëndetit publik me implikime socio-ekonomike, duke marrë parasysh përdorimin e panevojshëm të antibiotikëve, dhe shitja në barnatore pa recetë të mjekut.