Nënkryetari i Komunës së Skenderajt dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë, Sami Lushtaku, është liruar nga zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se pas intervistimit rreth një orësh, Lushtaku është lënë i lirë, teksa i është sekuestruar telefoni i tij personal.
Avokati i tij, Artan Qerkini, ka konfirmuar se Lushtakut i është sekuestruar telefoni.
“Ky veprim bie ndesh me ligjin. Sami Lushtaku nuk e ka statusin e të dyshuarit, prandaj atij i është cenuar privatësi pasi i është marrë telefoni”, ka thënë avokati, duke paralajmëruar ankesë në Dhomat e Specializuara.
Djali i tij, Mërgim Lushtaku, i tha Sinjalit sonte se sipas avokatit, Lushtaku është ndaluar vetëm për telefon.
“Po, janë duke biseduar me avokatin, pasi sipas të gjitha gjasave është vetëm për telefon. Sipas avokatit vetëm për telefon dhe ende është në zyret e EULEX-it“, tha ai për Sinjalin.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Gjykata Speciale ka bastisur shtëpinë e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett, konfirmoi për Sinjalin se ZPS-ja po kryen operacione të vazhdueshme, të cilat mbështeten nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.