Disidenti
Lajme

Letra nga Macron e Scholz dhe mesazhi për Kurtin e Vuçiq/ Ja kur pritet nënshkrimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë ditës së sotme u kanë dërguar letër kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Në letrën e dërguar, Macron dhe Scholz kanë njoftuar se kanë ngarkuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, për t’i ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Poashtu, Macron dhe Scholz kanë kërkuar nga Kurti dhe Vuçiq, që të bëhen gati për vendime të vështira.

“Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë. Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik. Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tonë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z.Jens Plötner dhe z.Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij”, thuhet ndër tjerash në letrën e dërguar Kurtit dhe Vuçiqit nga Macron dhe Scholz.

E lidhur me letrën e dërguar nga Macron dhe Scholz si dhe zhvillimet e ardhshme në dialog, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Me atë letër ata njoftojnë dy bashkëbiseduesit në dialogun Kosovë – Serbi se të dy këto shtete kanë caktuar përfaqësuesit e tyre këshilltarë të Mirslav Lajccak për këtë dialog. Ata bëjnë me dije se të dy këta liderë të të dy vendeve do të duhet të tregojnë vendosmërinë e gatishmërinë maksimale për vendime të vështira! Dhe kërkojnë që t’i jepet fund konfliktit midis të dy vendeve, sepse, siç thonë ata, Evropa kërkon të zgjerohet në vendet e Ballkanit Perëndimor për shkak të rrezikut që paraqet për rajonin lufta në Ukrainë. Personalisht e konsideroj këtë letër si një sukses të padiskutueshëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Po ashtu për të ardhmen e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Ajo çfarë dalloj ka të bëjë me faktin se për herë të parë duket se Berlini dhe Parisi janë marrë vesh përfundimisht për modelin e zgjidhjes. Më duhet të them se këtë angazhim të përbashkët gjermano-francez e shoh të nxitur nga angazhimi serioz dhe me sukses i faktorit amerikan”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, kjo i bën mirë dialogut e sidomos zgjidhjes përfundimtare, marrëveshje kjo e cila sipas Bytyçit, do të arrihet në një të ardhme të shpejtë.

“Megjithatë të dy personalitetet kryesore të kontinentit, njësoj si autoritetet amerikane, e pranojnë se zgjidhja do të vijë nga dy liderët, të cilët bisedojnë për një zgjidhje të pranueshme dhe për t’i dhënë fund konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Kjo është kryesore. Sepse kjo letër është sinjal se marrëveshja përfundimtare do të arrihet në një kohë të shpejtë, ndoshta brenda këtij viti. Kjo do të thotë gjithashtu se tani është marrë shumë seriozisht epilog këtij dialogu. Janë angazhuar tri ose katër Fuqitë perëndimore me axhendë të përbashkët e të rakorduar për zgjidhjen finale”, shprehet Bytyçi.

Por cila do të jetë kjo zgjidhje?

“Unë dua të besoj e do të besoj fort se do të jetë zgjidhja që ka parashtruar Gabriel Escobar në rolin e të dërguarit të presidentit amerikan, Biden. Pra një Asociacion të komunave serbe e ndoshta jo vetëm serbe sipas kushtetutës së Kosovës. Pra pa kompetenca ekzekutive e legjislative. Ky Asociacion do të krijohet për shkak se Kosova ka obligim të zbatojë marrëveshjen e nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Por, për fatin e mirë atë marrëveshje të dëmshme e shkatërruese për shtetin e shtetësinë, e anuloi Gjykata Kushtetuese, duke vërejtur 23 shkelje kushtetuese e ligjore”, shpjegon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Besoj se qeveria ose pala e Kosovës do të detyrohet të pranojë gjithashtu vendimin e Gjykatës Kushtetuese për manastirin e Deçanit. Por unë mendoj që në asnjë rast pronat e kishës ortodokse në Kosovë të mos njihen e interpretohen si prona të kishës ortodokse serbe. Pra, duhet të specifikohen si prona të manastireve përkatës ose kishave përkatëse me emrin e veçantë. Sepse shteti i Kosovës do të duhet të punojë që kisha ortodokse e Kosovës në të ardhmen të pavarësohet nga Kisha e Beogradit”, shton Bytyçi.

Ai thotë se Kosova nuk duhet të pranojë asnjë marrëveshje pa njohjen e pavarësisë së saj nga Serbia.

“Ndërsa çështjet e tjera që do të jenë në dokumentin përfundimtar besoj se janë me interes të ndërsjellët dhe rregullojnë thjesht marrëdhëniet për çështje konkrete. Ajo që ka shumë rëndësi ka të bëjë me faktin që pala e Kosovës nuk duhet të pranojë asnjë zgjidhje pa definuar detyrimin e palëve për njohjen e shtetësisë dhe të integritetit territorial të secilit vend. Reciprokisht të Serbisë për Kosovën dhe të Kosovës për Serbisë”, thekson Bytyçi.

Profesor Bytyçi deklaron se letra nga Macron dhe Scholz është sinjal pozitiv për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në përfundim më duhet të them se letra është një lajm i mirë. Është jam pozitiv për t’i dhënë fund konfliktit gati dy shekullor midis Kosovës e Serbisë. Por edhe për çështje të tjera e sidomos për integrimin evropian të gjashtë shteteve të rajonit tonë. Integrimi i përshpejtuar zhvleftëson projektin e Open Ballkan ose të krijimit të një Jugosllavie të Re. Sepse kjo përpjekje është në kuadër të angazhimit të autokratëve ballkanas për t’i ikur integrimit në BE”, shprehet Bytyçi.

“Integrimi në BE presupozon largimin nga pushteti i oligarkëve, autokratëve e kleptokratëve të korruptuar në Ballkan. Që do të thotë se politikanët e tillë do të dalin jashtë loje. Nuk do të mundet që të përfaqësojnë në të ardhmen interesave e shteteve dhe qytetarëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër integrimi evropian do të mundësojë paqen, stabilitetin, integrimin e bashkëpunimin midis subjekteve shtetërore në Ballkanin Perëndimor”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

Milaim Zeka: Femrat e Kosovës janë të bukura, por 50% e e tyre, e kanë zërin si të meshkujve!

Disidenti.net

‘Gruaja e harruar’ e protestës së 1 tetorit: I dhamë fund heshtjes, Albin Kurti ishte aktivist i shquar

Disidenti.net

Vajzat nga Peja që u gjetën s’pranuan të kthehen në shtëpi – Flet babai i njërës prej tyre

Disidenti.net
Disidenti

Letra nga Macron e Scholz dhe mesazhi për Kurtin e Vuçiq/ Ja kur pritet nënshkrimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi