Që nga humbja e garës për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia është parë rrallë në publik dhe fare në aktivitete politike. Ai ka evituar edhe paraqitjet mediale si dhe ka reduktuar maksimalisht aktivitetin në rrjete sociale, duke i dhënë një pushim disamujor vetes.
Mirëpo, këtë të diele, në orët e vona të natës, ai ka publikuar fotografinë e re të profilit në Facebook. Ky nuk është lajmi i vetëm. Në sfond të fotografisë së publikuar, në pozicionin profil, shihet edhe kryeministri dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Nuk dihet nëse është e qëllimshme, por nëse po, a është ky një mesazh i Vitisë për kthim në aktivitete politike të Vetëvendosjes, apo për ndonjë angazhim të ri institucional? Mbetet të shihet.
Nga një ngritje me shpejtësi, ndodhi një rënie edhe më e shpejtë e Vitisë, deri kur humbi edhe zgjedhjet lokale në Prishtinë, një gjë që pak njerëz e besonin vetëm një muaj para zgjedhjeve të 17 tetorit, që e çuan në balotazh me kryetarin aktual, Përparim Rama.