Disidenti
Showbizi

Kush është Victoria Owns dhe pse është fituese e BBVK?

0Shares

Në javën e parë të dhjetorit filloi edicioni i parë i Big Brother VIP Kosova, si një format i ri televiziv. Shumë emra të njohur nga fusha të ndryshme u përfolën se mund të ishin pjesë e këtij formati. Publiku aludoi emra të ndryshëm të sferës publike, ndonëse asgjë nuk u zyrtarizua deri në hapjen zyrtare të BBVK.

Befasia më e madhe e këtij edicioni ishte pa diskutim pjesëmarrja e një performuese drag në këtë format gjigant botëror.  Victoria Owns është mbretëresha e parë drag në rajon që u bë pjesë e këtij “reality show”, në garë për të fituar çmimin e madh. Pavarësisht pozicionimit të saj në këtë “reality show”, ajo po korr një fitore të madhe shoqërore.

Hyrja e Victoria Owns në këtë format televiziv e la publikun kosovar të çuditur, të intriguar, të mllefosur me një inat të njohur dhe mbi të gjitha, të pafuqishëm për ta sfiduar atë. Ky është edhe qëllimi i pjesëmarrjes së Victoria Owns në BBVK. Ballafaqimi i publikut shqiptarë me persona queer.

Por kush është Victoria Owns?

Victoria Owns është një performuese drag (përkthyer nga anglishtja “drag performer”) apo mbretëreshë drag (nga anglishtja “drag queen”) nga Prishtina. Ajo është personazh i aktorit Edon Shileku. Edon Shileku është një artist i ri nga Prishtina, i cili ndër vite ka luajtur në shfaqje të ndryshme teatrale në vend, si dhe ka të publikuar disa këngë dhe videoklipe.

Kur është në drag, Victoria Owns përdorë përemrat ajo/asaj, ndërsa kur është jashtë dragut, Edoni përdorë përemrat ai/atij.

Po çka është drag?

Drag është manifestim i shprehjeve gjinore përmes artit performues. Një performues drag, është një person i cili përmes veshjeve, grimit dhe performancës sfidon normat gjinore dhe përdorë artin si mënyrë e të shprehurit. Ndonëse termi “drag” mund të jetë i ri, kultura drag në Kosovë nuk është edhe aq e re. Nejat drag të organizuara në shtëpi dhe ambiente tjera private, në bazë të historive gojore kanë qenë pjesë e kulturës alternative queer në Kosovë që nga vitet e 90-ta, ndërsa dokumentimet e para në fotografi e video datojnë nga vitet e 2000-ta, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

“Për mu drag do me thonë me njoftë vetën plotësisht, se krejt e dijmë se kërkush nuk osht’ komplet femër ose komplet mashkull, ka shije të ndryshme në të, edhe osht’ mirë me i ekperiencu. Për mu drag-u ka rëndësi të pazëvendësueshëm, mu më ka bo me kuptu cila është ana jem femërore edhe çka përmbanë ajo më shumë. M’ka bo me kuptu qysh muj unë me jetu sikur Edoni në shoqni, m’ka nimu me konë pa komplekse në mënyrën qysh reagoj ose qysh foli.”

 ishte përgjigjja e Victoria Owns kur u pyet se çka është drag për të, në zinën Hyjneshat, publikim ky i cili dokumentoi kulturën drag në Kosovë,publikuar në janar të këtij viti nga Kolektivi Hyjneshat dhe Dylberizm.

“Victoria edhe Edoni dallojnë shumë, si Edoni, jom dëgjues i mirë, jom ekstrovert, jom i lumtun e pozitiv. Victoria o nervoze, o dramatike, ajo nuk të folë nëse ti si folë. Kur nuk bohna Victoria shpesh, e vrej që personaliteti i saj del në Edonin e përditshëm, qata edhe duhet shpesh me u bo drag, se më lejon me u konë Edoni që unë jom”

deklaroi Victoria për Hyjneshat zine.

Që nga debutimi i saj si performuese drag, Victoria Owns ka rrëmbyer shpejt zemrat e publikut queer në Kosovë, përmes performancave të saja tejet të veçanta.

Ndër to, vlen të përmenden, performanca “lip sync” e këngës “Largohu nga frajeri im” nga Adelina Ismajli, e cila ishte pjesë e edicionit Dragoslavia, një ngjarje kulturore drag me performues nga të gjithë shtetet e ish-Jugosllavisë.

Victoria ishte e para kosovare e cila performoi në këtë format i cili u mbajt online dhe filloi gjatë periudhës së karantinës si pasojë e pandëmisë COVID-19. Ndryshe nga 2020, edicioni i sivjetshëm i Dragoslavia u mbajt live në Beograd të Serbisë, ku Victoria u ftua të performonte përsëri. Edhe këtë herë, ajo zgjodhi një këngë në gjuhën shqipe, këngën “100 % zeshkane” të frymëzimit të saj, Adelina Ismajli.

Victoria ka vazhduar me performanca të ndryshme në Prishtinë, të organizuara nga Kolektivi Hyjneshat, dhe së fundmi ka performuar disa herë në Bubble Pub, barin e vetëm queer në vend.

Ndërveprimi jo-direkt i Victorias me publikun e gjerë është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i nevojshëm për ngritjen e vetëdijës së përgjithshme rreth komunitetit LGBTIQ+, respektivisht performuesve drag. Televizioni është pjesë e shtëpive tona, rutinës tonë dhe stimulon individin për të menduar mbi çështje të ndryshme. Rrjedhimisht, prezenca televizive e Victorias lejoi që personat LGBTIQ+ dhe performuesit drag të “hyjnë” nëpër shtëpitë nga të cilat tradicionalisht e kulturalisht kanë qenë të përjashtuar, stigmatizuar dhe diskriminuar.

Victoria Owns shumë shpejt morri vëmendjen të madhe, ndër të rrallat herë që një mbretëreshë drag e ka pasur në shoqërinë tonë deri tani, dhe u bë subjekt i diskutimeve.

Diskutimet publike, të njollosura nga gjuha e urrejtjes, dhanë narrativa të ndryshme; ato që kategorikisht kundërshtonin hyrjen e Victorias si rezultat i urrejtjes kolektive ndaj personave LGBTIQ+ dhe ato që e përkrahën dhe e përshëndetën këtë akt rezistence.

Edhe pse, të paktën virtualisht, urrejta ishte më dominuese, ky diskutim publik është shumë i rëndësishëm. Hapi i parë i ndryshimeve strukturore është pikërisht inicimi i diskutimit publik dhe tentative për të balancuar këtë bisedë publike mes të gjithë palëve të përfshira. Në këtë rast, personat LGBTIQ+ dhe perfomuesit drag janë pjesë kryesore e kësaj bisede publike sepse ndër të tjera, e kanë pushtetin dhe mundësinë për të orientuar këtë bisedë përmes një platforme që ndiqet nga qindra mijëra njerëz gjithandej vendit.

Victoria Owns u prit shumë mirë nga garuesit e tjerë, të cilët ishin të njohur dhe shumë të dashur për publikun e gjerë. Ndonëse përkrahja e të gjithëve ishte e rëndësishme, vlen të veçohet përkrahja publike dhe dëshira për t’u informuar e dy prej garuesve, Getinjos dhe Stresit.

Këta dy të fundit janë dy prej reperëve të njohur të repit shqip. Rrjedhimisht, që të dy kanë një audiencë tejet të madhe. Përmes muzikës që prodhojnë, e cila duke u shikuar nga lense të ndryshme merr kuptime të ndryshme, kanë krijuar një audiencë kryesore e cila është bazë mirëmbajtëse e mentalitetit shtypës dhe diskriminues.

Publiku i tyre shpesh i idealizon këta të fundit dhe i ka si grupe të referencës, pra si dikë që e respektojnë, e përcjellin dhe madje synojnë të bëhen si ata. Rrjedhimisht, përkrahja publike e reperëve, që kulturalisht janë kategoria me më së shumti urrejtje, është hap tejet i rëndësishëm për shoqërinë. Publiku i këtyre reperëve, ndër të tjera, ka mundësi shumë të madhe të orientohet drejt një fryme më pranuese dhe gjithëpërfshirëse.

Përkrahja e të gjithë garuesve ndaj Victoria Owns është esenciale dhe shumë e rëndësishme sidomos duke marrë parasysh vëmendjen mediatike e shoqërore që ky format e ka.

Victoria Owns është duke i njoftuar publikun e gjerë për rëndësinë e pranimit dhe zotësimit të diversitetit shoqëror, duke fuqizuar kështu personat LGBTIQ+ dhe grupet e tjera shoqërore.

Personaliteti i Victoria Owns është i dashur, emocional dhe i ndjeshëm, i fortë dhe i motivuar për ndryshime shoqërore. Andaj, publiku kosovar do ta ketë të lehtë të reflektojë dhe ta hapë mendjen e zemrën për të krijuar simpati ndaj Victorias.

Ndër të tjera, prezenca e Victoria Owns dhe sharmi që e karakterizon atë, është një inspirim për të gjithë të rinjtë LGBTIQ+ që janë të ‘ngujuar’ në realitete ngacmuese dhe shtypëse. Vizuelizimi i procesit të shndërrimit në ‘drag’ si Victoria Owns është mjaftueshëm i fuqishëm për këta persona dhe jo vetëm.

Aq e thjeshtë: dokumentimi televiziv i grimimit të një djali dhe shndërrimit të tij në ‘drag’ është një zile e furishme e ‘zhurmës’ të përfaqësimit, fuqizimit dhe ndryshimit. Pikërisht ky proces, aq fizik sa edhe politik, kundërshton maskulinitetin toksik dhe binarët e rrënjosur gjinor.

Pjesëmarrja e Victoria Owns në këtë edicion të Big Brother VIP Kosova është ftesë publike që personat LGBTIQ+ të jenë më të pranueshëm dhe të fuqizuar. Është fillimi i një ripozicionimi shoqëror dhe ndryshimi strukturor që vie si rrjedhojë e fuqizimit të personave LGBTIQ+.

Është për t’u vlerësuar edhe vullneti i produksionit të ‘reality show’ më të famshëm, të udhëhequr nga Alaudin Hamiti, Liberta Spahiu dhe Yllka Sedllari, të cilët kanë qenë aleatë të rëndësishëm. Përkrahja e tyre dhe krijimi i hapësirës për pjesëmarrjen e një mbretëreshe drag në këtë format gjigant është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme.

Mbi të gjitha, pjesëmarrja e Victoria Owns në Big Brother VIP Kosova është një fitore e rëndësishme.

Santiana Maloku tha se falë 5 vakte të namazit, tregon kur e ka në plan të mbulohet!

Disidenti.net

“500 forca policore kanë qenë tek shtëpia ime” – Stresi i reagon sërish ministres Haxhiu

Disidenti.net

A do ta sfidojë Noizy edhe sonte shtetin – Organizohet koncert në diskotekën ‘Stop’ në Gjilan

Disidenti.net