Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Krasniqi e ka pyetur Kurtin ku është, teksa thënë se kjo papërgjegjësi dhe ikje e tij nga obligimet parësore si kryeministër, është e pabesueshme.
“Sot, në Tiranë po zhvillohet Samiti i perbashkët i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor me fokus në Planin e Rritjes – iniciativës për investime konkrete të BE-së në shtetet e rajonit tonë. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro, e ku mundësia që Kosova të përfitojë qindra-miliona euro investime, është tashmë e konfirmuar.
Dhe pikërisht në këtë Samit, ndër më të rëndësishmit për shtetin tonë, Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë. Në vend të tij, ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla.
Kjo papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet e tij parësore si Kryeministër është e pabesueshme. Sot, Kryeministri i Kosovës vendin e ka pasur në Tiranë, në mesin e liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor e të Bashkimit Evropian”, shkroi ai.
Kreu i PDK-së më tej tha se me këtë qasje të Kurtit, të cilin e quan idhnak, Kosova jo që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo sipas tij, as sanksionet aktuale të vendosura nga BE, nuk do të hiqen.
“Një Kryeministër idhnak, i papërgjegjshëm e që vuan nga kompleksi i inferioritetit, fatkeqësisht për Kosovën, nuk do të arrijë të thelloj as raportet mbarë-shqiptare, e lëre më ato rajonale dhe evropiane.
Kryeministër, kthjellu!”, shkroi më tej Krasniqi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “për shkak të angazhimeve të mëparshme”, nuk do të jetë i pranishëm fizikisht në samitin e 29 shkurtit, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Megjithatë, Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, tha Kryeziu.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Një samit i ngjashëm për këtë plan u mbajt më 22 janar në Shkup të Maqedonisë së Veriut.