Disidenti
Lajme

Kurti: Reciprociteti kthehet më 1 shtator, Beogradi po nxit strukturat ilegale në veri

Shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit për letërnjoftim, me Serbinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e sheh si mundësi për informimin e qytetarëve serbë.

Në një konferencë për media, Kurti së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, thanë se shtyrja e zbatimit të reciprocitetit, për mospranimin e dokumenteve të identifikimeve të këtij shteti, u bë si pasojë e përhapjes së dezinformatave të shumta, për çka edhe janë krijuar tensione në pjesën veriore.

“E kuptojmë brengën e faktorëve evropianë dhe amerikanë për efektin negativ të fushatës së dezinformimit mbi dy vendimet tona të 29 qershorit. Andaj, kemi shprehur gatishmërinë tonë që zbatimi i këtyre vendimeve të shtyhet për 1 shtator, menjëherë pasi të hiqen të gjitha barrikadat dhe të mundësohet liria e plotë e lëvizjes gjithandej nëpër veri të Kosovës”, tha Kurti.

Kryeministri, duke bërë thirrje që partnerët ndërkombëtarë t’i dënojnë sulmet e ndodhura mbrëmjen e së dielës në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak, ka thënë se grupet kriminale të paguara nga Beogradi janë bërë më agresive.

“Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive si rrallëherë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë, pasi ato i mbështet i tërë aparati i fqinjit tonë verior. Janë me dhjetëra shkelje të rënda të ligjit të bëra dje e me të cilat po merren policia dhe prokuroria”, tha ai.

“Nga zhvillimet e djeshme kemi 11 qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët janë të lënduar dhe kanë marrë trajtimet e nevojshme. Ndërsa janë dëmtuar edhe disa vetura të qytetarëve, si dhe të Policisë së Kosovës nga strukturat kriminale, ilegale të armatosura, për këtë Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet. Sipas informacioneve të fundit, disa barrikada tashmë janë larguar dhe një pjesë e barrikadave të tjera tashmë kanë filluar të largohen”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Lidhur me takimin e mundshëm me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel, kryeministri Kurti tha se nuk ka marrë ftesë, nga përfaqësuesit e BE-së.

“Me presidentin e Serbisë është dashur të takohemi më 19 korrik, mirëpo ai ka kërkuar që të shtyhet takimi për fund të muajt gusht. Mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ka ndodhur dje. Ne është dashur të takohemi, e shtyu këtë takim për fundin e gushtit. Unë kam shprehur gatishmërinë time se kur të na thërret përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, do të shkojë në Bruksel, një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi”, tha Kurti.

Pak orë para se të fillonte zbatimi i vendimit të Qeverisë, që të gjithë qytetarët e Serbisë që hyjnë në Kosovë të pajisen me një dokument për hyrje-dalje, qytetarët serbë në shenjë kundërshtimi kanë bllokuar pikat kufitare në Bërnjak e Jarinje, duke sulmuar me armë zjarri zyrtarët policorë.

Qeveria, muaj më parë, mori vendim edhe për targat, që të gjithë personat që kanë makina me targa me akronim të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, duhet t’i regjistrojnë makinat e tyre, me targa të Kosovës, nga 1 gushti.

Por, zbatimi i këtyre dy vendimeve është shtyrë për 30 ditë, me kushtin që të largoheshin barrikadat.

Gjatë së hënës, për situatën e krijuar në veri, u takuan edhe krerët e shtetit, por ftesës së tyre nuk iu përgjigjën edhe liderët e partive opozitare.

Tim Judah: Kur Kurti ishte në burg, Vuçiq ishte ministër i inforimimit, kjo po ndikon në dialog

Disidenti.net

Faton Kurti publikon fotografinë e Vuçiqit nervoz përballë Kurtit: Ai tani e ka vetëm një opsion

Disidenti.net

Hajdari: Gjuha e trupit dëshmoi që Kurti ishte konfident, e Vuçiq në stres

Disidenti.net
Disidenti

Kurti: Reciprociteti kthehet më 1 shtator, Beogradi po nxit strukturat ilegale në veri