Kryeministri Albin Kurti ka folur pas vizitës dy ditore në Cannes të Francës, gjersa ka thënë se Kosova është bërë forcë ndërkombëtare në kinematografi.
Kurti në një postim në Facebook tha se shumica dërrmuese e vendeve të botës nuk u kualifikuan, kurse Kosova kishte dy filma që u shfaqën dhe garuan.
“Rëndësia e artit dhe vlerat tona po bëhen bashkë për vetëdijen dhe shqisat e miliona shikuesve të huaj dhe mijëra artistëve të famshëm”, tha ai.
Tutje, Kurti shtoi se në kuadër të vizitës dyditore në Cannes takoi Jerome Paillard, drejtorin e Marche dú Film të Kanës, tregut më të madh të filmit në botë; Stefan Laudyn, Drejtorin e Festivalit Ndërkombëtar të Varshavës; Nikolaj Nikitin, drejtorin e SOFA – shkolla për avancimin e filmit; Katriel Schorry, nga Fondi i Filmit të Izraelit, dhe Helge Albers, nga Fondi i Filmit të Hamburgut.
“Po ashtu takova edhe Ministren Franceze të Kulturës, znj. Roselyne Bachelot, me të cilën biseduam për avansimin e prodhimit të përbashkët të filmave, si dhe kryebashkiakun e Cannes, z. David Lisnard. E në fund, ishte kënaqësi të takoj Kryetarin e Jurisë sivjet, regjisorin Spike Lee, si dhe regjisorin italian Paolo Sorentino”.
“Qeveria që e udhëheq do të jetë pranë artistëve tanë dhe do t’i përkrah ata si asnjëherë më parë”, shtoi shefi i Qeverisë.