Ka vazhduar me replika e kundër replika seanca e Kuvendit ku po diskutohet për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Fondi Pensional i Kursimeve – Trusti, raporton Gazeta Sinjali.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka replikuar ndaj fjalimit të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, të cilit i ka thënë se nuk është kompetent që të flasë për çështje të ekonomisë e as të marrë nisma të Projektligjit për Trust.
“Çështja e financave shtetërore e të ardhmes në ekonomi e ka një dimension të fuqishëm profesional. Duhet shumë profesionista e ekspertë të konsultohen para se të thuash diçka sepse edhe vetëm duke folur bën dëm, lëre më duke bërë. Prandaj unë jam shumë i interesuar ta di se kë e ke konsultuar për këtë sepse nuk je i fushës. Unë do të vij këtu në seancë dhe me respektin më të madh do t’iu dëgjoj atëherë kur ta merrni nismën e projektligjit për masazhë. Ama projektligjin për Trust, ska kurrëfarë kuptimi kjo punë. Prandaj minimumi çka duhet të di është se kush janë ekspertët që të kanë thënë të vish këtu e ta marrësh këtë nismë, unë jam i bindur që po të ishte këtu deputet Bedri Hhamza nuk do ta propozonte. Unë jam i bindur që nuk është e rastësishme që në emër të LDK-së nuk folën as Avdullah Hoti as Hykmete Bajrami dhe as Lumir Abdixhiku. A e kupton? Po ta kanë lënë ty këtë punë. Fizioterapisti me doktoraturë që propozoi tërheqjen e Trustit”, tha Kurti.