Kryeministri Albin Kurti i Kosovës Albin Kurti reagoi pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, ku në vazhdimësi ka shpërthime e të shtëna me armë zjarri.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se, bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet pasi e dinë se po iu vije fundi.
“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje.
“Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj.
Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë”, nënvizoi ai.
Në fund, Kryeministri kërkoi nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë.