Disidenti
Sport

Kosova me katër klube në Evropë, e veç një stadium me standarde të UEFA-s

0Shares

Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit Kosova do të përfaqësohet për herë të parë me katër klube në garat evropiane. Por, një problem është shfaqur qysh në fillim.

Kosova e ka vetëm një stadium që plotëson kriteret për gara të këtij niveli, stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku i zhvillon ndeshjet edhe Kombëtarja e Kosovës i vendase, shkruan Gazeta Express.

Çështja e stadiumit ka shfaqur probleme për skuadrat që do e përfaqësojnë vendin tonë në Ligën e Konferencës; Dritën, Gjilanin dhe Llapin, pasi e kanë orarin e njëjte të ndeshjeve.

Kjo ka bërë që klubet në fjalë tash të mos e dinë se si do të rrjedhin gjërat në vazhdim. Ky problem mund të zbutet sadopak nëse UEFA e lejon Llapin që ndeshjet t’i zhvillojë në stadiumin “Zahir Pajaziti” të rinovuar së fundi. Në mars të këtij viti, në këtë stadium u zhvilluan ndeshjet kualifikuese të Kombëtares U17 të Kosovës në konkurrencën e femrave për Kampionatin Evropian 2022.

Një opsion tjetër është që Dritës ose Gjilanit t’i ndryshohet orari i ndeshjeve dhe të mos luajnë të dy skuadrat si vendase ose mysafire në të njëjtën ditë.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, për “Gazetën Express” ka thënë se klubi ka kërkuar përmes Federatës së Futbollit të Kosovës që të luajnë në stadiumin “Zahir Pajaziti” dhe që UEFA ta dërgojë një komision për inspektim të stadiumit.

“Ne po shpresojmë që si vendas të luajmë në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Kemi kërkuar përmes FFK-së që të luajmë në stadiumin tonë në Podujevë dhe që UEFA ta dërgojë një komision për inspektim të stadiumit. Ne besojmë se stadiumi i plotëson kushtet e kërkuara nga UEFA për ndeshje të këtij niveli. Kjo pasi UEFA në këtë stadium edhe e ka organizuar turneun ndërkombëtar kualifikues për U-17 në konkurrencën e femrave. Po ashtu, jemi katër klube nga Kosova që nuk mund të luajmë të gjitha në Prishtinë. Po presim, po besoj se do të luajmë në Podujevë”, tha Batatina.

Kurse, drejtori sportiv te klubi i Dritës, Valon Zymberi, tha se klubi gjilanas në procesin e licencimit për gara evropiane e ka cekur stadiumin “Fadil Vokrri” si vendin ku do t’i zhvillojnë ndeshjet.

Zymberi tha se beson që njërës prej klubeve UEFA do t’ua caktojë ndeshjen e parë si vendas dhe tjetrën si mysafire, e një klubi tjetër ndeshjen e parë si mysafir e tjetrën si vendas.

“Sikurse ekipet tjera, edhe ne në procesin e licencimit për gara evropiane e kemi cek stadiumin “Fadil Vokrri” si stadium ku e zhvillojmë si vendas ndeshjen tonë. Kështu që po presim nga UEFA të na caktojë datat. Besoj se UEFA ndonjërit prej klubeve do t’ua caktojë lojën e parë si vendas e tjetrën si mysafire, e ndonjë klubi tjetër lojën e parë si mysafir e tjetrën si vendas. Ka edhe shtete tjera si Kosova që disa klube e paraqesin veç një stadium dhe pastaj UEFA i merr parasysh dhe i cakton datat e terminët finale”, ka deklaruar Zymberi për “Gazetën Express”.
Menaxheri i SC Gjilanit, Drilon Sylejmani, për “Gazetën Express” konfirmoi se janë në kontakt me UEFA-n dhe se janë pritje të një përgjigjeje.

“Jemi ne kontakt me UEFA-n dhe jemi duke pritur përgjigje. Me shumë mundësi do të këtë ndryshim të datave për ndonjërën nga klubet. Detaje te tjera me te specifikuara nuk kemi”, ishte përgjigja e Sylejmanit.

UEFA ka tërhequr sot shortin për raundin e parë kualifikues në Ligën e Konferencës. Në këtë raund, Drita do të takohet me ekipin finlandez, Inter Turku, Gjilani me me ekipin nga Letonia, FK Liepaja, kurse Llapi me ekipin nga Mali i Zi, Buduçnosti.

Në orarin e publikuar nga shtëpia e futbollit evropian, skuadrat kosovare do t’i zhvillojnë ndeshjet e para më 7 korrik, kurse ato të kthimit më 14 korrik. Problemi këtu qëndron, pasi Drita, Gjilani dhe Llapi ndeshjet e para i kanë të caktuara për t’i zhvilluar si nikoqirë.

Kujtojmë se edhe kampioni i Kosovës, Ballkani, merr pjesë në garat evropiane, konkretisht në Ligën e Kampionëve. Skuadra nga Suhareka do ta nisë aventurën në garat evropiane pas përballjes së dyfishtë që do ta ketë me ekipin nga Lituania, Zalgiris Vilnius, në kuadër të raundit të parë kualifikues.

Megjithatë, çështja e stadiumit nuk pritet që t’i krijojë probleme Ballkanit. Sipas orarit të publikuar nga UEFA, ndeshjet e para të raundit të parë kualifikues do të zhvillohen më 5/6 korrik, kurse ndeshjet e kthimit më 12/13 korrik. Ballkani ndeshjen e parë e luan si vendas, kurse të dytën në udhëtim.

Pra, Ballkani nuk luan në ditën e njëjtë me Dritën, Gjilanin e Llapin.

Pavarësisht anëtarësimit në UEFA e FIFA, futbolli kosovar vazhdon të vuajë dhe të përballet me krizë infrastrukturore, e klubet edhe me krizë financiare.

Madje, edhe stadiumi i vetëm “Fadil Vokrri” ka kapacitet shumë të ulët dhe i përket një ndërtimi shumë të vjetër, por që u rinovua pastaj pas anëtarësimit në UEFA e FIFA. Ky stadium ka kapacitet prej 12 mijë e 800 ulëseve, teksa kërkesa për bileta është shumëfish më e madhe për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës.

Shqipëria mund të merret si shembull në aspektin e infrastrukturës në sportin e futbollit, pasi që në dhjetë e vjetën e fundit i ka bërë katër stadiume me standarde të larta evropiane. Para një dekade, Shqipëria nuk kishte kaq stadiume të këtyre niveleve. /Gazeta Express/

“Kam marr pasaportën e Shqipërisë, shpresoj të shkoj në Euro 2024” – Arbër Hoxha flet për mos ftesën nga Kosova

Disidenti.net

VIDEO: “Çmendet” presidenti i skuadrës turke, i nxin syrin arbitrit

Disidenti.net

Për herë të parë bie nga kategoria/ Tifozët e Santos djegin qytetin, përplasen edhe me policinë

Disidenti.net