Një javë pas ujdisë për energjinë mes Kosovës e Serbisë, reciprociteti është rikthyer. Por, ende jo ai reciprociteti i plot tregtar e ekonomik, të cilin e ka premtuar që një kohë kryeministri Albin Kurti. Këtë të mërkure, Qeveria e Kosovës ka vendosur për reciprocitet vetëm sa u përket letërnjoftimeve, gjë e cila ka tërbuar Beogradin.
Megjithatë, analistët politikë e vlerësojnë si një hap të qëlluar të Qeverisë, duke theksuar se një hap i tillë nuk do të ndikojë në vazhdimin e dialogut në Bruksel.
Mbledhja e sotme elektronike e Qeverisë ka sjellë një vendim të rëndësishëm. Ekzekutivi ka marrë një vendim për çështjen e letërnjoftimeve për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë.
Sipas vendimit të kabinetit qeveritar, çdo person që paraqitet për kalimin në kufirin shtetëror me letërnjoftim të Serbisë, do t’i zëvendësohet me një fletë-deklarim.
“Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore”, është thënë në komunikatën për media të Qeverisë.
E pak orë pasi u mor ky vendim, ka reaguar edhe Kurti nëpërmjet një postimi në Facebook.
I pari i ekzekutivit kosovar, ka deklaruar se masa e ngjitësve në targa do të vlejë deri më datën 31 tetor.
“Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Ndërsa automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të vazhdojnë të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror. Ky mekanizëm do të vlejë deri me 31 tetor 2022”, ka shkruar ai.
Pas këtij vendimi të Qeverisë Kurti, ka reaguar ashpër edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka deklaruar se nuk do të ketë dialog në Bruksel pas këtij hapi të Kosovës.
“Nuk ka asgjë nga kjo, lere atë dialog, të gjitha janë histori të zbrazëta. Çfarë dialogu, pas vendimeve të tilla, pse dialog, për Bashkimin e Komunave Serbe, dhe nuk guxojnë të vendosin flamur. Për çfarë?”, deklaroi Vuçiq.
Tutje, i pari i Serbisë u pa shumë i nervozuar nga kjo masë e qeverisë kosovare, sa që eskaloi me deklarata të papërmbajtura.
”Vendimi i dytë ka për qëllim dëbimin e serbëve nga veriu i Kosovës, për të krijuar një “Oluja” të re, ku brenda dy muajve duan të bindin serbët të regjistrohen nën targat e RKS-së shqiptare, ndoshta do të shpërndajnë fletëpalosje, pamflete, e dini. si është bërë në luftën e dytë botërore, pra do i bindin serbët, nëse nuk i bindin, atëherë do të vjedhin targa dhe vetura”, shtoi tutje i nevriku Vuçiq.
Por, a do të ndikojë ky reciprocitet në dialogun mes Kosovës e Serbisë?
Një javë pasi arritjes së marrëveshjes për energji, Qeveria Kurti i ka vendosur masën e reciprocitetit shtetit serb, udhëheqësi i secilit ka paralajmëruar mos vazhdimin e dialogut në Bruksel.
Megjithatë, analisti Imer Mushkolaj i tha Nacionales se një vendim i tillë nuk pse të ndikojë në dialog.
Tutje, Mushkolaj e cilësoi vendim i domosdoshëm duke marrë parasysh qasjen e Serbisë karshi qytetarëve kosovarë.
“Vendim i domosdoshëm, marrë parasysh qasjen e Serbisë karshi Kosovës dhe qytetareve te saj. Ky vendim nuk ka pse të ndikojë në dialog, thjeshtë Kosova po vepron njësoj siç vepron Serbia tash 11 vjet. Autoritetet kosovare është dashur te veprojnë kështu vite më parë dhe të mos pranojnë që qytetarët të cilët udhëtojnë në Serbi të diskriminohen”, theksoi Mushkolaj për Nacionale.
Profesori i shkencës politike në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi, e vlerëson si vendim të duhur. Megjithatë, ai thotë se një vendim i tillë mund të jetë një lloj presioni për t’i hapur rrugë një marrëveshje mes palëve.
“Meqenëse ky vendim vjen menjëherë pas vizitës se Lajcak, ka gjasa që ndërlidhet me arritjen e ndonjë marrëveshjes për targat dhe dokumentet tjera. Pasi qe duket si njëlloj presioni dhe vendim me baze ligjore e që pastaj të i hapë rrugë një marrëveshjeje mes palëve. Përndryshe nëse zbatohet në tërësi mendoj se është vendim i duhur”, ka thënë Baliqi për Nacionale.