Përveç bizneseve të cilat janë të detyruara t’i lëshojnë kupon fiskal secilit blerës, edhe konsumatorët janë të obliguar ta kërkojnë kuponin për çfarëdo blerje, nëse ky i fundit nuk iu jepet vetë nga dyqani.
Pra, sipas ligjit, edhe ju si konsumator mund të gjobiteni nëse pranoni të merrni produktin pa kupon fiskal. Madje, gjoba për një veprim të tillë mund t’ju kushtojë 20 euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Faqja Mbrojtësit e Konsumatorëve, thotë se të gjitha bizneset obligohen të lëshojnë kupon fiskal, por, një pjesë e përgjegjësisë iu mveshet edhe konsumatorëve.
Sipas tyre, Administrata Tatimore e Kosovës e rezervon të drejtën për të ju gjobitur në qoftë se pranoni të merrni produktin apo shërbimin pa kupon fiskal.
Mbrojtësit e Konsumatorëve iu bëjnë thirrje qytetarëve se sa herë që kuponi fiskal nuk iu jepet, të raportojnë përmes telefonit në ATK në këtë numër: 038 222 165.
“Kuponi fiskal është përgjegjësi e dyanshme”, shtojnë Mbrojtësit e Konsumatorëve.