Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë. Gjatë 24 orëve të fundit në atë pjesë janë vendosur edhe dy barrikada të reja, duke quar në total numrin e tyre në 13 sosh.
E gjendja atje jo vetëm që ka shqetësuar qytetarët por ajo ka ndikuar edhe tek fëmijët.
Një fëmijë i cili jeton në pjesën veriore, i ka kërkuar babagjyshit të Vitit të Ri përmes një letre që ta rregullojë situatën atje.
Kështu ka bërë të ditur zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skënder Sadiku i cili ka publikuar edhe letrën në profilin e tij në Facebook.
Sadiku ka kërkuar që të rriturit të kenë kujdes gjatë aktiviteteve të përditshme, debateve, raportimeve e deri te bisedat e rëndomta.
Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.