Disidenti
Shëndetësi

Ilaçi për diabet shitet në barnatore pa recetë dhe për qëllim të dobësimit

0Shares

I aprovuar në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara për trajtimin e diabetit të tipit 2, ilaçi Ozempic në Kosovë është duke u përdorur për një tjetër qëllim – humbjen e peshës.

Qytetarët po e blejnë atë lehtësisht në barnatore edhe pa e pasur përshkrimin nga mjeku.

Bazuar në fletudhëzimin në paketim, Ozempicu ndikon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak te pacientët me diabet të tipit 2, porse përdorimi i tij përcillet edhe me efekte anësore në sistemin e tretjes, si dhe me të vjella e diarre, gjë që mund të shkaktojë dehidrim.

E kjo afekton veçanërisht pacientët me probleme në veshka, andaj në udhëzim rekomandohet përdorimi nën mbikëqyrjen e mjekut.

KOHA ka kontaktuar disa nefrologë të QKUK-së dhe dietologë të cilët, ndonëse kanë pohuar të jenë në dijeni për fenomenin, kanë refuzuar që për këtë të flasin publikisht.

Në 15 barnatoret që janë ndër më të frekuentuarat në kryeqytet, nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, porse kanë pohuar se medikamenti aktualisht kërkohet më së shumti për humbje në peshë.

Në kushte anonimiteti, në një barnatore kanë treguar se ilaçi në disa raste është përshkruar edhe nga endokrinologët me qëllim të humbjes së peshës, e edhe për pacientët që nuk e kanë sëmundjen e diabetit.

Edhe disa nga pacientët me të cilët ka biseduar KOHA kanë treguar se në shumicën e barnatoreve bari mund të blihet lehtësisht pa recetë.

Agjencia Evropiane e Barnave, në një përgjigje për KOHËN, ka shpjeguar se ilaçi është vetëm për trajtimin e diabetit.

“Ozempic është miratuar në Bashkimin Evropian. Është një ilaç për diabetin që përdoret me dietë dhe stërvitje për të trajtuar të rriturit me diabet të tipit 2. Nuk është miratuar për humbje peshe në BE”, thuhet në një përgjigje të Agjencisë Evropiane të Barnave.

Ardian Rugova, drejtor i Departamentit të Autorizimit për Marketing në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, thotë se për blerjen e këtij produkti mjekësor përdoruesi duhet ta posedojë recetën e mjekut.

“Për blerjen e këtij produkti medicinal, përdoruesi duhet të posedojë recetën e mjekut. Sipas aprovimit të Autorizimit për Marketing në AKPPM ‘Ozempic’ ka këto indikacione të aprovuara: përshkruhet për trajtimin e të rriturve me diabet mellitus të tipit 2, me dobësi kontrolli, si shtesë ndaj dietës dhe ushtrimeve, si monoterapi kur metformina konsiderohet e papërshtatshme për shkak të intolerancës ose kundërindikacioneve, si shtojcë ndaj produkteve të tjera medicinale për trajtimin e diabetit”, ka theksuar Rugova.

Agjencia e Ushqimit dhe Barnave në SHBA, në një përgjigje për KOHËN, ka konfirmuar gjithashtu se ilaçi nuk është i aprovuar për humbje peshe.

“Ozempic nuk është i aprovuar nga FDA-ja për humbje peshe. Është miratuar si një shtesë e dietës dhe ushtrimeve për të përmirësuar kontrollin e glikemisë tek të rriturit me diabet mellitus të tipit 2”, thuhet në një përgjigje të Agjencisë së Ushqimit dhe Barnave në SHBA.

E disa endokrinologë të kontaktuar nga KOHA kanë refuzuar të tregojnë nëse e përshkruajnë këtë bar për humbje peshe, ndërsa drejtoresha e Endokrinologjisë thotë se Ozempicu është i aprovuar edhe për trajtimin e obezitetit.

“Vitin e kaluar, diku në qershor 2021, nga FDA është aprovuar edhe për trajtimin e obezitetit jodomosdo i lidhur me diabet tip 2. Mirëpo një obezitet te pacientët të cilët kanë rrezik për ta shfaqur sëmundjen e diabetit ose një prej faktorëve të rrezikut, qoftë dislipidemi, qoftë rezistencë insulinike, hipertension ose prediabet me vlera jo ashtu adekuate për t’u quajtur tip 2”, ka theksuar drejtoresha e Endokrinologjisë, Merita Emini-Sadiku.

Ajo pranon se medikamenti po keqpërdoret dhe se ka shumë kërkesa për ta marrë atë, porse endokrinologët kërkojnë fillimisht disa parametra.

KOHA ka pyetur Inspektoratin Farmaceutik nëse është në dijeni se ka barnatore që po e shesin barin si pa recetë ashtu edhe për qëllim tjetër përdorimi, si dhe nëse ka bërë inspektime deri më tani. Në përgjigje, në Inspektorat kanë numëruar masat që mund të ndërmerren në raste të këtilla.

“Rastet kur produkti medicinal disponzohet pa recetë mjekësore apo qarkullon në tregun farmaceutik si produkt i paautorizuar konfiskohet produkti, gjobitet farmacisti përgjegjës dhe pronari i barnatores, si dhe lënda dërgohet në Këshillin Etik të Odës së Farmacistëve të Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore dhe Policisë së Kosovës. Ju lutem nëse keni ndonjë dëshmi për rastin në fjalë do të na ndihmonte shumë në trajtimin e rastit”, ka thënë Remzije Thaçi nga Departamenti i Inspektoratit Farmaceutik.

Shkaku që në vendet e rajonit blerja pa recetë e këtij bari është e ndaluar, bazuar në atë çfarë kanë treguar nëpër barnatore, medikamenti po blihet në Kosovë për t’u dërguar në këto vende. Çmimi i tij sillet nga 85 deri në 105 euro.

Arti Fruit prezanton “Aroninë” në Panairin Ndërkombëtar në Prishtinë

Disidenti

Pse nuk duhet të porosisni asnjëherë ujë me limon në lokal

Disidenti.net

Vlerat mahnitëse të dredhëzave

Disidenti.net