Situata në veri të vendit po vazhdon të jetë e tensionuar.
E në lidhje me provokimet që janë bërë ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai u shpreh se sulmet e këtyre grupeve kriminale janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin në rajon, përcjell “Bota sot”.
“Sot, është momenti i fundit që regjimi në Beograd t’i thërrasë arsyes dhe ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane”, shtoi tutje Haradinaj.
Postimi i plotë
Sulmet e grupeve kriminale ndaj Eulex-it dhe Policisë së Kosovës në veri, janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë.
Sot, është momenti i fundit që regjimi në Beograd t’i thërrasë arsyes dhe ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe këtë ta pranojë edhe në tavolinën e bisedimeve!
Luftërat në Ballkan janë kapitull i mbyllur!