Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se identiteti politik nuk ka qenë shumë i rëndësishëm në familjen e tij gjatë luftës.

Haradinaj tha mbrëmë se në Lëvizjen Popullore të Kosovës, partinë e cila do ta themelonte UÇK-në, kishte qenë vetë ai në familjen e tij. Për Shkëlzen Haradinajn, vëllain e tij dëshmor, tha se “ka qenë me LDK-në”.

“Në Lëvizje prej familjes sime kam qenë vetëm unë. Baba im ka qenë me LDK-në, Shkëlzeni ka qenë me LDK-në. Ne si familje nuk kemi pasë ndonjë, si me thënë, identitet me Lëvizjen, por veç njerëz që s’janë pajtu me Serbinë. Kaq. Pra, ta sqarojmë; kjo është e vërteta e familjes sonë”, tha ai në një intervistë për “Demos”.

Haradinaj tha se në familjen e tij nuk ishin të dhënë pas ndasive politike.

“Ne e kemi pasë: po bëjmë luftë”, tha Haradinaj.

“Dauti, Luani, Shkëlzeni kanë qenë në komunikim me të gjithë njerëzit”, tregoi ish-komandanti i UÇK-së.