Për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, kanabisi është një nga problemet e Shqipërisë dhe zgjidhja sipas tij është legalizimi. Ai përmes intervistës në “ABC” i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama që të marrë guximin dhe të bëjë një ligj, si Maqedonia e Veriut për ta legalizuar.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se përdorimi i kanabisit mund të jetë në dobi të ekonomisë.
“Ta heqim veten si shqiptarë nga harta e tyre që jemi vend narkotik. Ligj, transparencë, buxhet. Ndoshta do ta pastronim emrin tonë si shqiptarë. Rrezik ka si është sot, jo nëse legalizohet. Maqedonia e ka bërë. Edhe Shqipëria ta bëjë një ligj. Nuk po them, me e mbjellë si fasule (qesh). Por të paktën të kemi një mbulesë para të gjithë të tjerëve, se ka një sektor ekonomik të caktuar, në bazë të ligjit, në Maqedoni e kanë bërë, e përdorin për mjekësi, për të tjera”, tha Haradinaj.
Ai foli edhe për disa tema te tjera. Tha se Shqipëria ka disa probleme.
“Duhet me i dhënë përgjigje, disa problemeve që ka Shqipëria, me një bazë të qëndrueshme ligjore. Mos me i lënë si çështje që të gjithë i dinë, flasin dhe keqpërdorin kundër nesh, Shqipërisë dhe Kosovës dhe ne bëjmë sikur nuk ekzistojnë, duhet me u dhënë përgjigje ligjore, vetëm me ligj dilet nga kjo gjendje” tha ai në “ABC”.