Kryetari i AAK-së, njëherësh ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se secili prej atyre që po e kundërshton Fondin e Sigurisë së Kosovës, po i rrezikon fëmijët e tyre.
Kreu i AAK-së tha se tanimë është kohë urgjente që Kosova të ketë një fond të tillë.
“Unë nuk mendoj që Fondi i Sigurisë së Kosovës ëshë politikë ditore. Edhe unë kisha pasur shumë dëshirë që qeveria të ndajë sa më shumë buxhet për ushtrinë. Nuk janë para këto që kanë me na lën keq neve. Është shumë me rëndësi të ju bëhet thirrje shqiptarëve ta ndihmojnë Fondin e sigurisë. Siguria është e gjeneratave, e jo e një qeverie. A ke dëgjuar ndonjëherë ndonjë qeveri të huaj që e ka kritikuar këtë fond? Amerika është duke e mbikqyrur uhtrinë. Është kohë urgjente e emergjente, ka transparencë edhe financiare ky fond”, tha ai në kanal 10.
Haradinaj ka komentuar edhe deklaratën e deputetës së PDK-së, Ganimete Musliu e cila përmes një video të publikuar shihet teksa bën thirrje të kundërshtohet Fondi i Sigurisë në një tubim në diapsor.
“Nuk e kuptoj një shqiptar që i pengon ekzistenca e një fondi të tillë. Nëse kjo çështje është populiste e le të bëhet edhe më shumë. Unë jam opozitar i Kurtit, du me rrëzu Kurtin, por jo me kusht me rrëzu ushtrinë ose sigurinë e Kosovës. Kemi plotë tema tjera që mundemi me ia tregu vendin Kurtit”, tha më tej Haradinaj në Kanal10.