Kapiteni Xhaka e frymëzoi Zvicrën drejt çerekfinales në parë në Kampionat Evropian në historinë e ekipit të vet kombëtar, pas fitores 5:4 me penallti kundër Francës të hënën mbrëma në Bukuresht, raporton Gazeta Express.
Pas një betejë të zjarrtë 3:3 gjatë 120 minutave lojë, Yann Sommer e mbrojti penalltinë e Mbappes dhe ia siguroi Zvicrës triumfin 5:4 në penallti. Dhe, me atë fitore, Zvicra e rrëzoi kampionen e Botës 2018 dhe favoritin kryesor të Euro 2020.
Derisa Shaqiri pati një ndeshje të qetë, Xhaka ishte një lider i paparë në mesfushë dhe luftoi fytafytas me Paul Pogban dhe N’Golo Kanten në mesfushë, si dhe e bëri pasimin vendimtar te goli i barazimit nga Mario Gavranovic në kohën shtesë që e dërgoi ndeshjen në penallti.
Por e gjithë kjo ishte e mjaftueshme për një notë 6 për të nga e përditshmja franceze. Derisa ai mori notë mesatare, Seferovic dhe Zuber u vlerësuan më lartë te Zvicra, me notën 7 secili.
Derisa gazeta ia dha notën 6, UEFA e zgjodhi Xhakën lojtarin më të mirë të ndeshjes.
Shaqiri u vlerësua me notën 4. Më keq se ai te Zvicra u vlerësua vetëm Widmer, 3.
L’Equipe e zgjodhi Karim Benzeman si më të mirin, pasi sulmuesi i Real Madridit i shënoi dy gola, duke i dhënë notën 8.
Te Franca, Clement Lenglet dhe Kimpembe u vlerësuan më notën më të dobët, 2 secili. /Gazeta Express/
