Ndërkohë është bërë identifikimi i dy personave të tjerë, familjarët e të cilëve, për arsye të kuptueshme, nuk ishin në gjendje të flisnin. Ata thjesht po kërkonin ngushëllim te njëri-tjetri, shkruan Jutarnji.
Tutje mediumi ka shtuar se ishte e dhimbshme të shihje lotët dhe të dëgjoje britmat e familjarëve të viktimave.
Policia kroate ka lëshuar një deklaratë duke detajuar rrethanat e aksidentit tragjik me autobus në autostradën afër qytetit Slavonski Brod.
Policia kroate tha se në orën 6:19 të mëngjesit të sotëm pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.
Ndërkohë, 14 persona që i mbijetuan pa lëndime aksidentit të tmerrshëm të mëngjesit të sotëm në autostradën në hyrje të Slavonski Brod të Kroacisë, aktualisht janë strehuar dhe përkujdesur në objektin Pansion Antonio në këtë qytet që ofron shërbime hotelierike.