Gani Geci nga sot do të nis vuajtjen e dënimit me burg prej 3 vjet e gjashtë muaj për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit. Geci, para shkuarjes në burg ka publikuar një shkrim në Facebook ka thënë se i kanë mbetur edhe 1 vit e 8 muaj për të vuajtur dënimin.
Geci ka bërë të ditur se Gjykata e Mitrovicës kishte lëshuar urdhëresë që të paraqitet sot, më 4 janar duke shtuar se tash ka të drejtë të kërkojë lirimin me kusht.
“Për të vuajtur denimin më kanë mbetur edhe 1 vit e 8 muaj. Duke u bazuar në Ligjin mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale unë kam kaluar mbi gjysmën e vuajtjes së dënimit. Tani kam te drejtë në lirim me kusht, pushim 14 ditësh dhe të gjitha benificionet e lejuara me ligj” – ka shkruar Geci.
I njëjti ka publikuar foto edhe me familjarët e tij para paraqitjes në qendrën e paraburgimit.
Më 30 nëntor 2022 Gjykata e Apelit kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes së Gani Gecit dhe kishte konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore që kishte dënuar Gecin me 3 vjet e gjashtë muaj burg.
Sipas vendimit, Geci ka qëndruar në paraburgim prej 22 gushtit të 2014 deri 3 qershor 2016, kohë e cila do t`i llogaritet në dënimin e plotë.
Postimi i plotë:
Të dashur miq,
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka lëshuar URDHËRESË që unë Gani (Adem) Geci me vendbanim në fshatin Llaushë, komuna e Skënderjat , që me datë 04.01.2023 të paraqitem te Qendra e Paraburgimit në Prishtinë (Ajvali), për mbajtjen e dënimit me burg në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 6 (gjashtë) muaj i shqiptuar me Aktgjykimin e Gjykatès Themelore në Mitrovicë P.nr.9/2018 i dt.20.08.2021 i vërtetuar me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.516/2021 i dt.29.09.2022, ku si vuajtje e dënimit më llogaritet koha e kaluar në masën e paraburgimit nga dt.22.08.2014 deri më dt.03.06.2016.
Për të vuajtur denimin më kanë mbetur edhe 1 vit e 8 muaj.
Duke u bazuar në Ligjin mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale unë kam kaluar mbi gjysmën e vuajtjes së dënimit.
Tani kam te drejtë në lirim me kusht, pushim 14 ditësh dhe të gjitha benificionet e lejuara me ligj.