Festat e fundvitit karakterizohen edhe me shumë shpenzime, të cilat janë kryesisht shpenzime të konsumit.
Sipas të gjeturave të Institutit për hulumtime UBO Consulting, për këtë vit shpenzimet për festat e fundvitit në Kosovë sillen rreth 29.5 milionë euro.
Të gjeturat e UBO-s thonë se krahasuar me vitin e kaluar, numri i familjeve kosovare që festojnë këto festa është rritur e poashtu edhe i atyre që nuk mund ta festojnë për shkaqe ekonomike.
“Krahasuar me vitin e kaluar, numri i familjeve kosovare që festojnë festat e këtij fundviti është rritur për 4 pikë përqindjeje, nga 64% në vitin 2021, në 68% në 2022. Numri i familjeve kosovare që këto festa nuk i shënojnë për shkaqe ekonomike ka shënuar rritje nga 14% në vitin 2021, në 20% në 2022”, thonë këto të gjetura.
Kurse, nga ata që nuk festojnë, 78 për qind prej tyre kanë deklaruar se nuk e festojnë për shkak të bindjeve fetare fetare, kurse vitin e kaluar 83 për qind prej tyre nuk e kishin festuar për këtë shkak.
Përkundër inflacionit të lartë, shpenzimet mesatare nuk dallojnë shumë nga viti paraprak sipas këtij hulumtimi.
“Mesatarisht, familjet kosovare kane deklaruar që po shpenzojnë 146 euro për festat e fundvitit 2022, krahasuar me 156 euro në vitin 2021, dhe 139 euro në vitin 2020. Kjo nënkupton që në përgjithësi, familjet kosovare po shpenzojnë mesatarisht 0.2 milionë euro më pak se në fundvitin e 2021-ës, dhe rreth 3.1 milionë euro më pak këtë fundvit se sa në fundvitin e 2020-ës”, tregojnë hulumtimet.
Ndërkaq, shpenzimet më të mëdha shkojnë në ushqim, mirëpo për shkak të inflacionit blerjet janë shtyrë “deri në minutën e fundit”.
“Përkundër faktit që inflacioni nuk ka ndikuar shumë në shumën e pergjithshme që familjet shpenzojne për festat e fundvitit, ajo ka reflektuar në mënyrën se si po shpenzojnë. Si rezultat familjet kanë deklaruar se po shpenzojnë më shumë në ushqim (71%) dhe më pak në dhurata, aktivitete tjera lidhur me mbremje muzikore apo ne dekor krahasim me vitet e kaluara”, thotë hulumtimi i UBO Consulting.