Disidenti
Showbizi

Dua në Prishtinë, babai i saj Dukagjini bëri të gjithë për vete me atë që iu tha rojeve

Dua Lipa është në Kosovë, zonja dhe zotërinj, dhe sot u shfaq krejt e bardhë – në fakt, në të bardhë – në konferencë për shtyp përkrah babait, Dukagjinit, derisa Sunny Hill sonte merr këmbët në natën hapëse.

“Kadal mos t’menon se jena gjinë të egër,” – kishte thënë një rojë derisa po pritej dalja e Rita Orës vite më parë në një fjalim epik që mbahet mend sot e kësaj dite. Pak më ndryshe, ishte edhe sot, por jo megjithatë shumë shumë më ndryshe.

Një pritje modeste e gazetarëve që ishin me bollëk në numër, në praninë edhe të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama e nënkryetarit Alban Zogaj si dhe shumë të figurave tjera që unë nuk i njihja – më vjen keq, nuk mund të elaboroj tutje, u përcoll para shfaqjes së asaj që duket se të gjithë e duam.

E kisha një pyetje goxha dinjitoze për Duan në mendje, derisa po e praktikoja vetëmevete rrugës se si ta formuloja e parashtroja aty në mesin e dhjetëra njerëzve, me absolutisht secilin që dukej i tensionuar, për të më shtuar edhe mua stresin që do t’i bëja një pyetje jo fort ortodokse për audiencën tonë, ndoshta.

Pyetja ime kishte të bënte me komunitetin LGBTIQ+. “Në edicionin e fundit të Sunny Hill, ti ke kërcyer me flamurin shqiptar. Ishte moment krenarie. Ndërsa, në turneun tënd të fundit të kemi parë shpesh duke bartuar flamurin LGBTQ. Ky komunitet në Kosovë ka folur disa herë se ka nevojë për përkrahjen tënde, a do të pranonit të valonit flamurin e tij nëse ua ofron dikush në Prishtinë?”

Huh… goxha fjalë për një pyetje apo jo? Epo, po, fatkeqësisht për Dukagjin Lipën, i cili ankohej se po flisnin shumë gazetarët, para pyetjes.

“Unë kom me folë ma pak se ti,” iu drejtua ai njërit që ishte prapa meje, e që e bëri një pyetje… disi si pyetje, por paraprakisht erdhi një koment i gjatë, pak a shumë si ajo e imja më lart. Pyetja e atij kishte qenë politike në lidhje me organizimin e Sunny Hillit dhe bllokadat e mëhershme, blla blla, por, sidoqoftë, një përgjigje e mori disi.

Përgjegjësi për medie i Sunny Hillit, i cili ishte autoritet decisiv në atë se kush do të merrte fjalën, bartte mikrofonin sa në njërën anë sa në tjetrën. Edhe përpjekjet e mia të vazhdueshme që të merrja fjalën, duke ia bërë me sy e me gjeste sa për të kapur mikrofonin e për t’ia thënë ca fjalë Duas, ishin të dështuara.

“Gërmia s’ka qenë dëshira jonë me mbajt festivalin këtë vit, është vështirë me organizu një festival me përmasa të tilla në këtë vend, urojmë që kanë me organizu viteve tjera në vendin adekuat,” thoshte, ndër të tjerash, Dukagjin Lipa.

Në anën tjetër, Dua pati një mesazh të fuqishëm për të rinjtë kosovarë, të ngujuar e të malltretuar nga regjimi i vizave.

“Dua të ju shpreh mirënjohjen për të gjithë mbështetjen që ma jepni. E ndjej këtë mbështetje në të gjithë botën. S’ka rëndësi se sa ëndrrën e madhe keni, ju mund t’ia dilni nëse e mbani mendjen aty. Vazhdoni të ëndërroni sepse çdo gjë është e mundur. Ne përmes Festivalit po mundohemi të tregojmë historinë pozitive të vendit tonë”.

Madje, ajo për pak foli edhe për viza duke shprehur përsëri zërin e fuqishëm, siç ka bërë vazhdimisht edhe në të kaluarën, për liberalizim.

Pyetja e fundit erdhi nga një gazetare e cila e bëri shumë të sikletshme atmosferën për të gjithë të pranishmit. E mori fjalën, por foli aq gjatë, sa që e menderosi keq punën për të dëshpëruarit si unë që mezi po prisja të kyçesha me një koment po ashtu para pyetjes – të cilën tash po mundohesha ta shkurtoja pak, pasi pashë e dëgjova reagimin e Dukagjinit rreth komenteve të tepruara – për komunitetin LGBTQ.

Fati im i zi, Dukagjini u lodh së dëgjuari komente pa pyetje, para se të ndërprente gjithçka dhe të vendosej që ai të ishte ndërveprimi i fundit me gazetarë. Dua, me mirësjellje, u përgjigj, dhe pastaj u ngrit për të bërë disa foto para një baneri të Sunny Hillit.

Ajo po fotografohej, e gazetarët po përlaheshin por si me zë të ulët. Ata ia zinin rrugën njëri-tjetrit, me disa që ankoheshin se nuk po mund të depërtojnë për të parë më shumë nga Dua në të bardha.

E znj. Lipa, në anën tjetër po e mbante mirësinë në nivel, duke pozuar me fëmijët që po përcilleshin nga prindërit e po u kërkohej të qeshnin.

“A bon veç pak një foto t’ia baj”, një nënë e dëshpëruar po dëgjohej prapa meje, duke kërkuar lirimin e rrugës nga gazetarë e fotoreporterë që thjesht nuk mund të ngopeshin së bëri foto të Duas.

Rojet filluan të bëhen paksa më agresive, duke bllokuar ca depërtime, para se Dukagjini të reagonte, disi – nuk më kujtohet fajlëpërfjalshëm – “kadal, se s’ka ardhë kurrkush me vra“. Simpatia për Dukagjinin u rrit në mesin e gazetarëve.

Dua filloi të bënte ca hapa dhe unë e kuptova se ishte koha të largohej. Shpejt vrapova te hyrja, ku po e prisja si një fans i dëshpëruar me kamerë përpara. Më kaloi para dhe unë brohorita: “Dua, let’s do this” (Dua, ta bëjmë këtë), por nuk mora as edhe një reagim të vetëm.

Tutje, atë po e priste një veturë jashtë, me kamerë në dorë e përcolla. Ca foto të tjera me fansa dhe u largua me modesti.

Sigurisht, mezi priste të shkonte e të përgatitej për performancën, e tha edhe vet. Kaq për një konferencë për shtyp të Dua Lipës – një që nuk do ta gjeni në raportimet e medieve të rëndomta.

Liberta, cilit ish-dashnor i tha: Gjeje dike tjetër se me ty s’ mund të jem më …

Disidenti.net

Robert Berisha dhe Laureta Maqedonci nisin pushimet në Meksikë

Disidenti.net

Aktori i famshëm rrëfen për sëmundjen e rrallë, nga e cila nuk mund të shihte, të dëgjonte e as të ecte

Disidenti.net
Disidenti

Dua në Prishtinë, babai i saj Dukagjini bëri të gjithë për vete me atë që iu tha rojeve