Disidenti
Lajme

Dogana konfiskon 5 mijë produkte të falsifikuara të brendeve NIKE, Adidas dhe Diesel

0Shares

Kosova konsiderohet si një nga vendet me tregun me të lirë të punëtoreve në rajon dhe ky fakt e bën atë një terren ideal për prodhimin e kopjimin e markave më të njohura tregtare botërore.

Nike, Adidas e Diesel janë brendet e atleteve dhe veshmbathjeve më të shtrenjta e të njohura në gjithë botën, të cilat në Kosovë mund t’i hasësh me çmime të ndryshme, duke nisur nga 1 euro e deri te çmimet treshifrore.

Pikërisht ky fakt vë në lëvizje çdo vit Doganën e Kosovës, misioni i së cilës është lufta ndaj kontrabandës që vjen nga brenda dhe jashtë vendit, njofton Klan Kosova.

Misioni i ekipit të antikontrabandës nga Dogana e Kosovës është të verifikojë dhe sekuestrojë produktet e falsifikuara të këtyre brendeve. Kjo pas ankesës së bërë nga përfaqësuesit e këtyre markave tregtare, të cilat thonë se kanë humbje milionëshe brenda vitit, pikërisht për shkak të kopjimit të produktit të tyre.

Ekipet e Doganës, bashkë me ekipin e KIKS-it, arritën në lokacionin e piketuar.

Aksioni po zhvillohej në Zonën Industriale të Prishtinës, saktësisht në një nga objektet shumëkatëshe që gjendën në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë.

Dhe sinjalet dolën faktike. Në këtë biznes mund të hasësh të gjitha llojet e tekstilit dhe veshmbathjeve.

Para se të fillonte kërkimi i produkteve, kërkesa e parë e ekipit ishte që të mbylleshin dyert që të mos qarkullonin më klientë.

Dyert u mbyllën dhe kërkimi filloi.

Produktet që do të duhej t’ua zinin sytë ekipit antikontrabandë, që më tutje të konfiskoheshin, ishin produktet që përmbanin logon e brendeve Nike, Adidas, Diesel e të tjera.

E produkte që mbi to mbanin të stampuar logon e këtyre brendeve botërore, për të cilat ky biznes nuk kishte përfaqësi, kishte me bollëk.

Një gjë e tillë nuk i pëlqeu aspak pronarit të dy prej kateve të objektit. Duke u lutur që të paktën aksioni në biznesin e tij të mos xhirohej, ai ankohej për krizë financiare.

Ekipi i doganës po bënte punën e tij në katin e parë. Ndërkohë, në tentimin për të shpëtuar mallin që po konfiskohej, punëtorët që gjendeshin në katin e tretë u vunë në aksion.

Ata filluan të largonin nga ekspozimi të gjitha këpucët që mbanin logon e “NIKE”.

Informacionin që ato produkte ishin dërguar në depo e dhanë vetëm pas insistimit disa minutash të kryesuesit të aksionit.

Ekipet antikontrabandë, bashkë me ekipin e KIKS Kosovës, qëndruan disa orë në atë objekt 3-katësh për të verifikuar secilin produkt.

Me të kontrolluar të gjitha, malli i konfiskuar u paketua dhe u bë bartja e tij për procedura të mëtutjeshme.

Secili grup bëri llogaritjen e produkteve që kishin marrë.

Me të dhënë llogaritjen te kryesuesi i aksionit, u bë një rrumbullakim i numrit të produkteve që ishin marrë peng për konfiskim.

Në ato disa orë punë, ekipi antikontrabandë kishte konfiskuar mbi 5 mijë produkte që të stampuar mbanin logo të brendeve botërore, pa autorizim.

Për KIKS-in, ai tutje tha se produktet e konfiskuara janë të marrë peng për të parë më tutje se çfarë do të vendoset për to.

Aksione të tilla Dogana e Kosovës ka në vazhdimësi dhe produktet e konfiskuara, pas verifikimit, janë të destinuara të shkatërrohen.

Ekskluzive: Shteti vendos të krijojë Task Forcë për rastet e dhunës ndaj grave

Disidenti.net

“Atë që e deshi ia mori jetën, pasnesër do ta festonte ditëlindjen”, mes lotëve flet familjarja e gruas së vrarë në Pejë (VIDEO)

Disidenti.net

“Ka qenë narkoman”, vëllai i gruas së vrarë tregon detaje të reja

Disidenti.net