Disidenti
Lajme

Bujari: Në rivarrimin e Jasharëve pati më shumë trupa të vdekur se pjesëmarrës

Fotoreporteri i KOHËS, Alban Bujari, teksa ka rrëfyer për rivarrimin e Jasharëve më 11 mars, ka thënë se atë ditë më shumë ka pasur viktima sesa njerëz që kanë marrë pjesë në varrim.

I ftuar të hënën në emisionin “Sot” në KTV, Bujari ka thënë se trupat e viktimave është dashur të rivarrosen për shkak se serbët i kanë varrosur mbrapsht.

“Është dashur t’i rivarrosim kufomat sepse serbët i kanë varrosur mbrapsht, është dashur t’i nxjerrim kufomat, t’i kthejmë mbarë me rrymat që i kemi pasur nëpër trup. Çka më kujtohet është se më shumë ka pasur të vdekur sesa njerëz që kanë marrë pjesë në varrim. Rivarrimi ka ndodhur më 11 mars”, ka thënë ai.

Bujari ka shtuar se përveç pamjeve që ka parë sikurse në Prekaz, por edhe në masakrën e Reçakut dhe të tjerat, e që nuk mund t’i hiqen nga mendja, nuk mund të harrohet as era e kufomave të djegura.

“Për rivarrim kam ndihmuar sepse nuk ka pasur njerëz mjaftueshëm. Këto data nuk hiqen prej mendje kurrë, si kjo, si Reçaku e të tjerat. Nuk është lehtë ta heqim prej mendjes dhe ta harrojmë erën e kufomave të djegura. Në ditën e rivarrimit ka pasur ende forca policore serbe, të cilët tregonin se ne ende jemi këtu. Gjatë rivarrimit është gjetur edhe një kufomë brenda një shtëpie, më duket se ka qenë nëna e Musë Jasharit”, ka thënë ai.

Teksa ka treguar për vështirësitë e punës me shirita filmikë atëkohë, Bujari ka thënë se po të ishte teknologjia e zhvilluar si sot, dokumentimi i ngjarjeve të luftës do të ishte krejtësisht ndryshe.

“Po të kishte pasur atë kohë teknologji që ka sot, do të ishte shumë më ndryshe. Atë kohë ka qenë shumë më vështirë sepse kemi punuar me filma, as nuk ka pasur email-e as GPS, e as asgjë. Me disa harta të vjetra nuk e dinim se as ku po shkonim. Është dashur t’i fshehim filmat tërë kohën. Një herë më ka ndodhur që pas një masakre jam kthyer për t’i zhvilluar filmat te ‘Foto Nesha’, aty ka pasur edhe policë civilë dhe mi dha fotografitë e një dasme sepse policët më kishin përcjellë mua. Kur u ktheva më pas më tregoi që policët më kanë përcjellë”, ka rrëfyer ai.

I pyetur nëse pas gjithë këtyre viteve ka shkuar sërish në Prekaz, Bujari ka thënë se deri tani ka qenë e pamundur për të.

“E pashe dje në televizor, është bërë si një qytet i bukur, nuk do e njihja nëse do të shkoja sërish. Do të shkoj gjithsesi por nuk kam qenë ende. Nuk kam mundur. Nuk është vetëm Prekazi, ka edhe vende të tjera dhe kur i mendon të gjitha, nuk është edhe aq lehtë”, është shprehur ai.

Rasti Vizat – Gjykata merr vendim për Ukë Rugovën

Disidenti.net

Patundshmëria “prek qiellin”, banesat në Prishtinë arrijnë 1000 deri në 2.500 euro/m2

Disidenti.net

Mblidhet Bordi i ZRrE-së, sot pritet shtrenjtimi i rrymës elektrike

Disidenti.net
Disidenti

Bujari: Në rivarrimin e Jasharëve pati më shumë trupa të vdekur se pjesëmarrës